Një 40-vjeçar nga Skrapar, i identifikuar si Ilir Kurti, rezulton i zhdukur prej më shumë se 24 orësh, duke shkaktuar shqetësim te familjarët dhe të afërmit e tij.
Sipas burimeve familjare, ai ka humbur kontaktet që prej mëngjesit të ditës së djeshme, ndërsa përpjekjet për ta kontaktuar kanë qenë të pasuksesshme. Alarmit i është shtuar edhe një mesazh me përmbajtje shqetësuese, i dërguar të vëllait të tij në Francë, çka ka shtyrë familjen dhe miqtë të nisin menjëherë kërkimet në zonë.
Mbrëmjen e djeshme, shokët e 40-vjeçarit kanë gjetur motorin e tij pranë kanioneve të zonës. Pranë mjetit janë konstatuar edhe disa sende personale, mes tyre një cigare dhe një shishe verë, të dyja të papërfunduara.
Familja i ka bërë apel policisë për intensifikimin e kërkimeve dhe u kërkon qytetarëve që mund të kenë informacion mbi vendndodhjen e tij të njoftojnë menjëherë autoritetet.
Ilir Kurti është i divorcuar dhe baba i një fëmije. Ai jetonte me nënën e tij në Skrapar.






