Ish-drejtori i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës, Indrit Cerloj, është arrestuar në lidhje me arratisjen e të dënuarit Altin Ndoci, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë gjatë shoqërimit të këtij të fundit në spitalin e Durrësit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar ndaj Cerlojt masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “shpërdorim detyre”. Po me të njëjtin vendim, është caktuar masa “arrest në shtëpi” për doktoreshën e IEVP Durrës, Y. S., 66 vjeçe, gjithashtu e dyshuar për “shpërdorim detyre”.
Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit po heton edhe takimet që Altin Ndoci ka zhvilluar gjatë muajve të fundit në paraburgimin e Durrësit. Sipas burimeve hetimore, emrat e Edmond Gjyzeli dhe Izmir Kusi po verifikohen, pasi rezultojnë të kenë pasur disa takime me Ndocin. Të dy janë persona të skeduar nga drejtësia dhe dyshohet se mund të kenë pasur dijeni ose përfshirje në planin e arratisjes. Hetimet janë ende në fazë paraprake dhe po punohet për sigurimin e provave, ndërsa nuk dihet ende nëse ata janë lokalizuar për t’u marrë në pyetje.
Altin Ndoci u arratis nga spitali i Durrësit, ku ishte dërguar për ekzaminim shëndetësor. Shoqërimi, sipas hetimeve, u krye jashtë standardeve të sigurisë: ai nuk ishte i prangosur dhe masa e sigurisë ishte e pamjaftueshme. Ndoci është larguar nga kati i tretë i repartit të Infektivit, pasi ka goditur dy punonjës të Policisë së Burgjeve që e shoqëronin. Jashtë spitalit, sipas të dhënave, e priste një automjet tip “Audi A7”, me të cilin është larguar në drejtim të paditur.
Ndoci ndodhej në paraburgimin e Durrësit që prej vitit 2020 dhe akuzohej për vrasje dhe vepra të tjera të rënda penale.
Në kuadër të hetimeve, deri tani janë arrestuar gjithsej 8 persona, mes tyre punonjës të Policisë së Burgjeve dhe stafi shëndetësor i institucionit:
• Komisar Dezdemon Pazaj
• Komisar Violeta Uka
• Kryeinspektor Dorjan Saraçi
• Inspektor Sali Ferrollari
• Inspektor Fatjon Braçi
• Inspektor Preng Marvataj
• Kryeinspektor Aranit Çela
• Kryeinfermier Aulon Quku
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa kërkimet për kapjen e Altin Ndocit vijojnë.






