Detaje të reja janë bërë publike nga vrasja e 20-vjeçarit francez, Migel Mendes, në Ksamil. I riu u gjet i pajetë rreth orës 05:15 në shezlongët e një plazhi, përpara një lokali.
Dyshimet e para të Policisë janë se 20-vjeçari është goditur me thikë pas një konflikti.
Në qendër të hetimeve është 29-vjeçari Sokrat Vata, banues në Has, i cili dyshohet si autor i ngjarjes. Sipas informacioneve paraprake, pas konfliktit ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Vata dyshohet se ka një të kaluar kriminale në Britaninë e Madhe, ku është arrestuar dhe dënuar në vitin 2024 për çështje që lidhen me trafikimin e drogës.
Sipas të dhënave të bëra publike, në një rast në Kembrixh, policia e pikasi duke drejtuar një Toyota të vjedhur. Vata tentoi të largohej, ndërsa gjatë ndjekjes dyshohet se hodhi një pako me kokainë në shkurre. Ai u kap nga policia dhe iu gjetën edhe 560 paund. Gjithashtu rezultoi pozitiv në testin për drejtim automjeti nën efektin e drogës.
Në një tjetër rast në Kent, më 13 prill, Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe përplasi një automjet me targa të klonuara. Në makinë u gjetën qese me kokainë dhe targa.
29-vjeçari përfundoi përpara Gjykatës së Kurorës së Kembrixhit, ku pranoi akuzat për posedim të drogës së klasit A me qëllim furnizimin, drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim nën efektin e drogës.
Për këto vepra, ai u dënua me pesë vite burg.
Ndërkohë, në Shqipëri, Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes së të riut francez dhe për kapjen e të dyshuarit.





