Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, publikoi sot në rrjetet sociale foto krahasuese nga protesta e mbështetësve të Sali Berisha, duke ironizuar numrin e kufizuar të pjesëmarrësve, si brenda Kuvendit, ashtu edhe në sheshin përpara tij.
Në postimin e tij në Facebook, Balla shkroi:
“A më duket mua apo këta janë njëlloj, si numër flas, sa në sallë edhe në shesh? Domethënë bashkë me stafin.”
Ai theksoi gjithashtu se opozita ka kohë deri javën e ardhshme të vendosë për pjesëmarrjen në komisionet e reformës territoriale dhe zgjedhore, përndryshe shumica do të realizojë ndryshimet pa ta.
Ky reagim vjen pas tensioneve të fundit në Kuvend, ku opozita ka bllokuar foltoren dhe ka kundërshtuar pjesëmarrjen e deputetes Belinda Balluku.






