0.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Ahmetaj shpallet në kërkim ndërkombëtar në 194 shtete, çfarë ka në dosjen që SPAK

SPAK ka shpallur në kërkim ndërkombëtar Arben Ahmetaj, vendim i marrë të hënën pasi ish-zv.kryeministri nuk u gjet gjatë kontrolleve të uniformave blu.

Ishte Policia e Shtetit që tha se po e kërkonte brenda vendit për disa ditë, ndërkohë që edhe avokatët mbrojtës të ish-numrit dy të qeverisë treguan se ai kishte ikur jashtë vendi për arsye familjare dhe nuk gjendej në Shqipëri.

Kështu, Prokuroria e Posaçme i ka përcjellë Interpolit dosjen ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar me tri akuza për çështjen e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit.

Veprimi i SPAK-ut erdhi pasi Policia e Shtetit, u dorëzoi prokurorëve një raport ku informon se ekzekutimi i vendimit të gjykatës për masën arrest me burg në mungesë ka qenë i pamundur brenda vendit pasi ish-ministri i financave nuk është gjetur në 12 qarqe. Më 19 korrik prokuroria i dorëzoi policisë për ekzekutim vendimin e gjyqtarit Erion Bani që caktoi masën “Arrest me burg” në mungesë ndaj Arben Ahmetajt, për akuzat korrupsion, pastrim i produkteve të veprës penale dhe fshehje e mosdeklarim pasurie.

Menjëherë policia ushtroi kontrolle në disa banesa në Tiranë e Durrës dhe shpërndau të dhënat e Ahmetajt në pikat kufitare. Pas kërkimit të tij brenda vendit, Policia i ktheu përgjigje prokurorisë duke theksuar se ish-zëvendëskryeministri nuk është gjetur brenda territorit të Shqipërisë dhe SPAK, nuk ka vonuar t’ia përcjellë dosjen Interpolit për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.

Më 14 korrik, Parlamenti miratoi me 117 vota, kërkesën e prokurorëve për masën e arrestit ndaj Ahmetajt dhe kontrollin e banesës. Po atë ditë, avokati i tij Henrik Ligori u shfaq para kamerave në dyert e SPAK, duke deklaruar se klienti i tij ndodhej në Angli pranë familjes.

Dosja në Interpol

Me kërkesë të SPAK-ut, Interpol Tirana përcjell dosjen e Arben Ahmetajt në zyrat qendrore të organizatës në Lion të Francës. Pjesë e dosjes, janë të dhënat personale të ish-zëvendëskryeministrit, emri, atësia, mbiemri, datëlindja, kombësia dhe shtetësia, fotot e tij, përshkrimi fizik, gjurmët e gishtave, relacioni i SPAK me faktet e akuzës dhe provat kryesore dhe vendimi i GJKKO për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij arrest me burg në mungesë.

Zyra qendrore e Interpolit shpall më pas në kërkim Ahmetajnt në 194 shtete anëtare të cilave u kërkohet arrestimi i tij për t’ia dorëzuar Shqipërisë për tu përballur me akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas SPAK, Ahmetaj ka përfituar prona dhe shuma monetare në 6 episode të faktuara nga biznesmenët, në këmbim të përfshirjes së tyre në aktivitetin e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit.

Shumat e përfituara, sipas prokurorisë, janë kthyer në prona, konkretisht dy vila në Hamallaj dhe Palasë, të sekuestruara pak muaj më parë nga GJKKO me urdhër të SPAK, edhe pse ishin në pronësi përkatësit të Erjola Hoxhës, partneres aktuale të Ahmetajt dhe ish-gruas së tij Albina Mançka.

Më 18 korrik prokuroria ushtroi kontroll në 7 banesa ku gjeti dhe sekuestroi dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap – top, telefona celularë, USB etj të cilët po i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme. Gjykata ka vendosur edhe masën e sigurimit pasuror, sekuestro preventive mbi 6 (gjashtë) pasuri nga të cilat 4 (katër) apartamente (njëri i përshtatur si AIR BNB) në pronësi të personit nën hetim Arben Ahmetaj, si dhe 2 (dy) llogari bankare të po këtij shtetasi në shumën 124 300 (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro).

Vilat dhe apartamentet, sipas SPAK janë përfituar përmes procedurave fiktive të kalimit të tyre nga personat e tretë tek ish gruaja e Ahmetajt Albina Mançka dhe partnerja aktuale Erjola Hoxha. Ndërkohë në gjkko në seancën e radhës për inceneratorin e Fierit, avokatët e Klodian Zotos dhe Lefter Kokës kërkuan më tepër kohë për të bërë mbrojtjen.

Seanca e radhës u caktua më 6 shtator ku do parashtrohen argumentet e mbrojtjes për disa prej të pandehurve. Gjykata vendosi të pezullojë afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit, pasi shkak për shtyrjen e bë mos përgatitja e tyre. Mbrojtësit ligjorë u paralajmëruan se do të ketë masa, nëse nuk do jenë gati edhe në seancën tjetër për të paraqitur konkluzionet.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT