Një aksident i rëndë është regjistruar në autostradën A8 në Gjermani, në drejtim të Mynihut, pasi një furgoni me targa shqiptare i shpërtheu goma gjatë lëvizjes në korsinë e mesit.
Sipas policisë gjermane, furgoni VW humbi kontrollin, devijoi djathtas dhe u përplas me një tjetër furgon Fiat, duke shkaktuar një përplasje të fortë.
Nga aksidenti mbetën të plagosur pesë persona: dy pasagjerë nga furgoni shqiptar dhe tre nga Fiat-i. Fatmirësisht, sipas autoriteteve, asnjëri prej tyre nuk ka marrë lëndime të rënda, megjithëse të plagosurit janë transportuar në spital për kontroll të mëtejshëm.
Policia ka vlerësuar se dëmet materiale arrijnë rreth 40 mijë euro, ndërsa një hetim është hapur për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të kontrollojnë rregullisht gjendjen e gomave, veçanërisht gjatë udhëtimeve të gjata.






