Një aksident u regjistrua rreth orës 10:00 në autostradën që lidh Fierin me Vlorën, pranë fshatit Panaja, ku u përfshinë dy automjete, një “Mercedes” dhe një “Volkswagen Passat”.
Sipas informacionit paraprak, të dy mjetet po lëviznin në drejtim të Vlorës, kur dyshohet se “Mercedes”-i i ka prerë rrugën automjetit tjetër. Përplasja shkaktoi që “Mercedes”-i, i drejtuar nga një femër, të përfundojë në anë të kanalit, ndërsa “Passat”-i, me një drejtues mashkull, doli nga rruga dhe u ndal pranë autostradës.
Fatmirësisht, katër pasagjerët e të dy mjeteve shpëtuan pa lëndime. Dy personat në “Mercedes” u shoqëruan në spitalin e Vlorës për kontroll mjekësor. Megjithatë, dëmet materiale në të dy automjetet janë të konsiderueshme.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore, duke përfshirë matjet dhe ekspertizën teknike, për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Njëri prej drejtuesve ka rrëfyer gjithashtu momentet e aksidentit për mediat lokale.






