Një punonjës policie është arrestuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) gjatë një operacioni të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në qytetin e Vlorës.
Bëhet fjalë për Rezart Kuçin, i cili aktualisht mban postin e shefit të Seksionit të Policisë Shkencore në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës. Sipas informacioneve paraprake, ai akuzohet për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Burime bëjnë me dije se Kuçi dyshohet të ketë qenë pjesë e grupit të Ines Hajrullës. Më herët ai ka mbajtur edhe detyrën e zv/shefit të komisariatit dhe shefit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1.
Operacioni i SPAK u zhvillua në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Në kuadër të tij janë lëshuar 7 urdhërarreste, ndërsa janë kryer edhe kontrolle në banesën e Ines Hajrullës.
Sipas të dhënave, Hajrulla dhe një tjetër person i identifikuar si Ervis Matodashaj kanë mundur t’i shmangen operacionit, pasi nuk ndodheshin në banesë në momentin e kontrolleve.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK lidhur me detajet e plota të operacionit.






