Pamje piktoreske, shumë tema dhe vendime të paqarta: kjo është ajo që mbetet nga samiti i G7 në Cornwall. Shtetet e Bashkuara janë përsëri në tryezë, por vetëm kjo nuk i zgjidh problemet me klimën ose me Kinën.
Kishte shumë fotografi të bukura. Drita e diellit dhe peizazhi piktoresk i Cornwall-it ishin një mjedis i mirë për atë që ishte ndoshta sinjali më i rëndësishëm i takimit: SHBA është kthyer: “Amerika është kthyer” në vend të “Amerika e para”.
Multilateralizmi është përsëri i mundur. Joe Biden-i është një President i Shteteve të Bashkuara në Shtëpinë e Bardhë që mbështet Marrëveshjen e Klimës së Parisit, mbështet reformën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe dëshiron të përcaktojë një politikë të përbashkët të G7-ës për Kinën. Në konferencën e saj të shtypit, kancelarja Merkel e përmblodhi këtë me pak fjalë: “Me zgjedhjen e Joe Bidenit si president, nuk është se bota u bë e tillë që të mos ketë më probleme. Por ne mund të punojmë për zgjidhjen e këtyre problemeve me entuziazëm të ri.”
Nuk ka datë për braktisjen e qymyrit
Sidoqoftë, deklarata përfundimtare e samitit të G7-ës e bën të qartë se vendimet për shumë pika mbeten të paqarta. Pas ditëve me diell në Cornwall, mund të pasojë zhgënjimi: mallkimi i fotove të bukura është premtimi i parealizuar.
SHBA është përsëri në bord kur bëhet fjalë për mbrojtjen e klimës. Ish-Presidenti amerikan Donald Trump kishte njoftuar daljen nga marrëveshja e klimës në Paris. Tani është bërë e qartë se G7 dëshiron t’i përmbahet qëllimit për të ulur ngrohjen globale me 1.5 gradë, nëse është e mundur. Kjo në të vërtetë nuk është shumë, sepse kjo është pikërisht ajo që parashikonin vendimet e vitit 2015, dhe masat që morën më pas shumë shtete nuk mjaftuan.
Kjo është arsyeja pse përfaqësues nga mbi 190 vende do të takohen në nëntor në Glasgow, për të bërë marrëveshje më largvajtëse. Dhe çështja do të jetë nëse vendimet e G7-ës mund të dërgojnë një sinjal të qartë për negociata të mëtejshme. Krerët e shteteve dhe qeverive nuk ranë dot dakord për një datë të përbashkët për të braktisur përfundimisht qymyrin. Premtimet për të ndihmuar financiarisht vendet e varfëra dhe ato në zhvillim për ndryshimin strukturor u përsëritën.
Sistemi i paralajmërimit të hershëm për pandeminë
Në luftën kundër pandemisë, krerët e shteteve dhe qeverive ranë dakord për një sistem paralajmërimi të hershëm. Të dhënat nga e gjithë bota do të bashkohen për të analizuar shpejt kërcënimet dhe për të zhvilluar më shpejt vaksinat dhe kapacitetet e testimit.