Gazetarja Anduena Llabani ka paralajmëruar se pas datës 13 mars, SPAK do të nisë një valë të re arrestimesh në politikë, duke përfshirë dhjetëra deputetë nga të dyja krahët politike.
“SPAK është aty për të prekur të paprekshmit, për të hetuar njerëzit të cilët rezultojnë në kundravajtje me ligjin duke shpërdoruar detyrën,” deklaroi Llabani në një prononcim për mediat.
Ajo theksoi se hetimet nuk lidhen vetëm me përgjimet në platformat EncroChat dhe Sky ECC, por edhe me çështje të tjera si mosjustifikimi i pasurisë ndër vite.
“Pas 13 marsit, ne do të dëgjojmë goditjet e para të SPAK-ut në lidhje me politikën. Janë dhjetëra deputetë, majtas dhe djathtas, që do të merren të pandehur,” shtoi gazetarja.
Ky paralajmërim vjen në një kohë kur SPAK ka intensifikuar hetimet për zyrtarët e lartë dhe politikanët e përfshirë në afera korruptive dhe shpërdorim detyre, duke rritur pritshmëritë për zhvillime të rëndësishme në javët e ardhshme.