Kryebashkiakja në detyrë e Tiranës, Anuela Ristani, ka dalë sot në një deklaratë për mediat nga zona e tregut të veshjeve te “5 Maji”, ku ka folur për zjarrin e frikshëm që ka përfshirë disa kapanone për më shumë se dy orë.
Ristani theksoi se fillimisht zjarri ka nisur në një nga kapanonet e tregut, por për shkak të përmasave dhe materialeve të pranishme, flakët u përhapën edhe në një kaparon tjetër. Ajo shtoi se fatmirësisht nuk ka rrezik për banesat përreth dhe asnjë person nuk ka pësuar dëmtime.
“Zjarri ka rënë fillimisht në njëri prej kapanoneve, por për shkak të përmasave të tij, ai u përhap edhe në kaparonin tjetër. Por lajmi i mirë është se nga flakët nuk ka rrezik për banesat përreth zonës dhe nuk ka dëme në njerëz,” – tha Ristani.
Deklarata e kryebashkiakes vjen ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë intensivisht për izolimin e vatrës së zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij në objekte të tjera.






