Një burrë dhe një grua janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, pasi akuzohen se, për një periudhë dyvjeçare, kryen transferta bankare me vlerë 11 milionë euro përmes kompanive fiktive, të cilat vepronin si “guacka”. Paratë, të dyshuara të ardhura nga krimi, silleshin fillimisht në Shqipëri nga shtetet e parajsave fiskale, si Qipro, Gjibraltari dhe Malta, dhe më pas transferoheshin në Kanada.
Të arrestuarit janë Darin Gezdari, 34 vjeç, dhe bashkëpunëtorja e tij Arlinda Marku, 41 vjeçe, të cilët, sipas hetimeve, kishin krijuar 10 kompani fiktive kryesisht në fushën e konsulencës, por që, në fakt, shërbenin për realizimin e transaksioneve të paligjshme dhe pastrimin e parave. Gjatë periudhës 2021-2022, ata bashkëpunuan për të realizuar transferime të mëdha parash, duke përdorur këto kompani si mjet për të ndihmuar pastrimin e parave me origjinë kriminale.
Nga hetimet ka rezultuar se, nga 10 kompanitë fiktive, 7 ishin regjistruar në emër të Gezdarit dhe 3 në emër të Markut. Paratë e dyshuara kriminale, që kapin shumën e 11 milionë eurove, u transferuan brenda dy viteve nga Qipro, Gjibraltari dhe Malta në Shqipëri, dhe më pas, në mënyrë të ngjashme, u dërguan në Kanada.
Prokuroria dhe policia po vazhdojnë hetimet për të identifikuar shtetas të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e paligjshme, duke shpresuar që të sjellin përpara drejtësisë të gjithë ata që janë të lidhur me këtë skemë pastrimi parash.
Operacioni ‘Cost to Cost’ ka çuar në arrestimin e dy personave dhe ka përfshirë kontrollin e banesave të tyre. Hetimet filluan pas referimeve nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Pastrimit të Parave dhe Agjencinë e Inteligjencës Financiare.
Të arrestuarit:
– Arlinda Marku, 41 vjeç, banuese në Lezhë
– Darin Gezdari, 34 vjeç, banues në Tiranë






