Një 20-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia në Itali, pasi është kapur në posedim të një sasie të konsiderueshme lënde narkotike.
Sipas raportimeve të mediave italiane, i riu po lëvizte me automjetin e një personi me precedentë penalë kur është ndaluar për kontroll rutinë nga efektivët e policisë. Gjatë kontrollit të mjetit, brenda u gjet një pako që përmbante 430 gramë kokainë.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij në zonën e Naz Sciaves, ku u sekuestruan edhe 120 gramë të tjera të së njëjtës substancë.
Në total, policia bëri të ditur se janë sekuestruar 550 gramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur rreth 30 mijë euro në tregun e zi.
20-vjeçari është shoqëruar në ambientet e paraburgimit, ndërsa pritet të dalë përpara autoriteteve gjyqësore për t’u njohur me masën e sigurisë. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.






