Policia ka arrestuar një 31-vjeçar që shkaktoi një aksident të rëndë me 4 të plagosur mbrëmjen e djeshme në zonën e Lungomares, në qytetin e Vlorës. Sipas njoftimit zyrtar, i riu, **A. Ll.**, aksidentoi 4 persona, përfshirë dy fëmijë të mitur, të cilët po kalonin rrugën në vijat e bardha së bashku me nënën e tyre.
Policia Rrugore e Vlorës bëri të ditur se incidenti ndodhi kur 31-vjeçari, duke drejtuar një automjet tip Volkswagen, përplasi katër këmbësorë: V. V., 50 vjeçe, I. Sh., 32 vjeçe, dhe dy fëmijët e saj të mitur. Të plagosurit u dërguan në spital, ku fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Përveç këtij incidenti, në pranga përfundoi edhe një 37-vjeçar nga Orikumi. A. H. u arrestua pasi u konstatua duke lëvizur me automjet, megjithëse ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Vlorë. Policia njoftoi se Njësia Operacionale e Policisë Rrugore** e zbuloi shkeljen gjatë një kontrolli rutinë në rrugë.