Deputeti Ardit Bido ka reaguar ashpër ndaj kolegut të tij, Flamur Noka, pas shpërndarjes së një mesazhi denoncues që përfshinte vëllanë e Bidos, Blendi Bido, i cili sipas denoncimit punon në doganën e Kakavijës.
“Lexon, beson dhe publikon mesazhe që t’i shkruajnë për t’u tallur me ty… dhe i shet si Denoncime”, shkruan Bido në një postim në rrjetet sociale, duke akuzuar Nokën se po prezanton informacion të pavërtetë si denoncime serioze.
Ai shton me ironi: “Ne kërkojmë që ti të dish kush ngriti flamurin e Shqipërisë… ndërkohë ti s’di as të dallosh kur kalamajtë të përdorin si lodër”.
Mesazhi që Noka shpërndau akuzonte vëllanë e Bidos për përfshirje në kontrabandë cigare dhe pije alkoolike, si dhe përfitime financiare që, sipas pretendimeve, ndikuan në zgjedhjet lokale.

Reagimi i Bidos ka rindezur debatet mbi përgjegjësinë e figurave publike në publikimin e informacionit dhe ndikimin që ato kanë tek qytetarët dhe të rinjtë.






