Puna për riparimin e një avarie të rëndë në linjën kryesore të furnizimit me ujë në lagjen “10 Korriku” në Vlorë vijon pa ndërprerje.
Ekipet e Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë ndodhen në terren që prej pasdites së djeshme, duke punuar në kushte të vështira, nën reshjet e shiut, për të rikthyer sa më shpejt furnizimin me ujë për qytetarët.
Sipas burimeve zyrtare, defekti në tubacionin 250 kërkon një ndërhyrje të specializuar dhe të kujdesshme për shkak të kompleksitetit teknik. Për të përshpejtuar procesin, gjatë natës pritet të mbërrijnë edhe ekipe mbështetëse nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve.
Autoritetet bëjnë me dije se po punohet intensivisht për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës.






