Gent Gjini, avokati i familjes së Faton Hajrizit, i cili dyshohet të jetë vrarë nga policia serbe, ka kërkuar ndihmën e Shqipërisë për zbardhjen e kësaj çështjeje. Në një intervistë televizive, Gjini theksoi se ndihma e Shqipërisë është e nevojshme për të trajtuar këtë çështje në nivel zyrtar, pasi Beogradi nuk e njeh ende Kosovën.
Gjini theksoi se ende nuk është e qartë nëse Faton Hajrizi është vrarë, gjë që do të vërtetohet vetëm pasi të bëhet ekzaminimi i trupit të tij. “Rasti i Hajrizit është një çështje komplekse dhe ne kemi dalë në një propozim që me këtë çështje të merret edhe Republika e Shqipërisë. Ne do të kërkojmë që Shqipëria të na ofrohet me kapacitetet e saj ndërqeveritare dhe ligjore që me palën serbe të bisedohet në kanale zyrtare dhe të jemi të barabartë si shtet.
Dihet që Serbia ne nuk na njeh si shtet dhe biem gjithmonë në lojëra fjalësh, luhet me ndjenjat e kombit shqiptar nga serbët. Nuk e dimë nëse Hajrizi është vrarë ose jo, pasi duhet të kqyret trupi. Serbia nuk e njeh palën kosovare dhe nuk bisedon me të. Duke ndërhyrë Shqipëria do të kuptohet ku ndodhet trupi i tij,” tha Gjini.