Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar një plan të ri që ndryshon rregullat për kompensimin e pasagjerëve të linjave ajrore në rast vonesash. Në kuadër të këtij plani, kompanitë ajrore do të kenë mundësi të bëjnë vonesa më të gjata para se t’u duhet të kompensojnë pasagjerët.
Aktualisht, pasagjerët kanë të drejtë për kompensim në vlerë prej 250 deri në 500 euro për vonesa mbi tri orë, varësisht nga distanca e fluturimit. Sipas sistemit të ri, pragu i kompensimit rritet në katër orë për fluturimet deri në 3.500 km ose brenda BE-së, me një shumë kompensimi prej 300 eurosh. Për fluturime më të gjata, kompensimi prej 500 eurosh do të zbatohet vetëm pas një vonese prej gjashtë orësh.
Ky ndryshim ka shkaktuar reagime të ndryshme. Organizata Evropiane e Konsumatorëve (BEUC) kritikoi planin duke paralajmëruar se shumica e pasagjerëve do të humbasin të drejtën për kompensim, pasi shumica e vonesave ndodhin në intervalin dy deri në katër orë.
Nga ana tjetër, grupi i kompanive ajrore më të mëdha evropiane si Air France-KLM, Lufthansa, Ryanair dhe easyJet, u ankuan se plani i ri sjell komplikime më të mëdha sesa propozimi fillestar i Komisionit Evropian.
Ministri polak i Infrastrukturës, Dariusz Klimczak, në krye të Presidencës së BE-së, theksoi se janë krijuar mbi 30 rregulla të reja për mbrojtjen e pasagjerëve. Ndër të tjera, plani siguron që pasagjerët të kenë të drejtën të arrijnë në destinacion përmes rrugëve alternative, duke përfshirë transportues të tjerë ose mënyra alternative transporti.
Po ashtu, planifikimi krijon një sistem kompensimi automatik për fluturimet e anuluara brenda 14 ditësh, si dhe garanton ndihmë të përshtatshme për ushqim dhe akomodim kur udhëtimi nuk shkon sipas planit.
Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, e përshkroi marrëveshjen si një hap përpara për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, megjithëse pranoi se mund të ishte më ambicioze.






