Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për të shënuar 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Ai theksoi se kjo ditë prek çdo shqiptar dhe simbolizon pjekurinë e Kosovës si shtet. “Çdo familje shqiptare sot ndihet pjesë e festës, gëzimit dhe krenarisë. Kosova mbush 18 vjeç. Në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë, momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësinë”, tha ai.
Begaj vuri në dukje se vendi ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes, duke respektuar të kaluarën dhe sakrificat e bëra:
Përkujtoi ata që dhanë jetën për liri.
Shprehu solidaritet me ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procese në Hagë.
“Ky përvjetor është dëshmi se Kosova është tashmë realitet. Kosova është histori e jetuar suksesi që na bën krenar, ne dhe partnerët,” shtoi presidenti, duke nënvizuar rëndësinë e kujtesës dhe respektit për të kaluarën e vendit.






