“Komploti” është roman i fundit i Ben Blushit dhe ka sjellë një ndryshim në letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare. Blushi ka fituar një status të pazakontë, jo vetëm si shkrimtar por edhe si personazh publik me ndikim në shoqëri. Veprat e tij janë shoqëruar nga debate të nxehta në komunitetet e lexuesve dhe kanë prekur tema tabu.
Ben Blushi është një autor i cili nuk ka skrupuj në trajtimin e temave të ndryshme, duke përfshirë identitetin, besimin, orientimin seksual, raportet me tjetrin, etj. Ai ka guxuar të shprehë mendimet e tij në mënyrë të hapur dhe ka duruar gjykimin e të tjerëve. Përvojat e tij si publicist, politikan, qeveritar dhe menaxher kulture i kanë dhënë atij një profil të kompleksuar.
Në romanin “Komploti”, Ben Blushi trajton temën e Shqipërisë në vitin 2043-44, duke shprehur vizionin e tij për të ardhmen e vendit. Ky roman, si dhe veprat e tjera të Blushit, ka sjellë një ndryshim në mënyrën se si lexohet letërsia dhe si autorët komunikojnë me lexuesit. Ben Blushi merr pjesë aktivisht në procesin e komunikimit të veprës së tij, duke përfshirë nënshkrime, debate dhe ndërveprime me lexuesit.
Për të gjitha këto, Ben Blushi është shfaqur si një figurë e pazakontë në skenën letrare dhe kulturore shqiptare, duke shpërfaqur një profil të ndryshuar që përfshin jo vetëm autorin, por edhe personazhin dhe personalitetin publik. Veprat e tij janë pjesë e një ekosistemi të krijuar prej tij, duke ndikuar në dinamikën e receptimit të tekstit dhe duke shpërfaqur aftësitë e tij si shkrimtar dhe komunikues i pasionuar.
“Komploti” sendërton Shqipërinë e vitit 2044, – dy dekada më tej, – përmes një fuqie imagjinative të thjeshëzuar, – të pangjashme me të gjitha romanet e tjera futuriste apo utopike që kemi lexuar, – me një gjuhë që nuk ndryshon shumë nga ajo e ditëve tona, – duke e zhgënjyer disi pritshmërinë e lexuesit të romanit tipik futurist, ku na shfaqen fjalë, koncepte, personazhe apo mjedise të ndryshme nga ato që jetojmë edhe sot.
E gjithë bota fictionale e romanit është ndërtuar mbi projektimin apo modifikimin e personazheve reale (Rauf Fico, Hasan Dosti, Leon Trocki, Simon Shuteriqi, etj), ngjarjeve të caktuara (çlirimi i Shqipërisë nga nazifashistët në vitin 19144, ardhja e komunizmit në Shqipëri, ardhja e afganëve në Shqipërinë e shekullit të XX, ndryshimet demografike në vendin tonë dhe kudo në botë, etj) apo fenomeneve (ideologjia komuniste, konservatorizmi, globalizimi) që kanë ndodhur më parë. Të gjithë këto elemente vijnë në roman, në një realitet të mëvonshëm, – jo shumë i ndryshëm nga ai që po jetojmë tani, të tjerrura në mënyrë të natyrshme, – të gjallë, dhe plot ironi dhe sarkazëm.
Loja me “simbolet”, duke përdorur të gjithë regjistrat e ironisë, i jep vlerë “Komplotit” dhe krijimtarisë së Blushit, përkundër shumë autorëve të tjerë.
Por, vlera e romanit shkon përtej: Sipas meje, “Komploti” ka meritën e sendërtimit të “biopolitikës” dhe “biofuqisë” si temë bosht në letrat shqipe. Këto dy koncepte kyçe të Michael Foucault kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në mendimin filozofik por edhe në botën letrare të fundshekullit të kaluar dhe vijojnë deri në ditët tona. Në letërsinë e përbotshme autorë të tillë që i prekin më mënyrë të qëllimshme këto tematika; mjafton që të përmendim Kazuo Ishiguro (çështjen e klonimit dhe teknohumanizmit) J. M. Coetzee (njeriu i moshuar që përballet me vetminë dhe sëmundjet), Paul Auster (që trajton depresionin, humbjen e kujtesës apo identitetit) Tom McCarthy (trauma dhe rikrijimi i kujtesës), Michel Hollbecque, etj. Këto tema të mëdha janë trajtuar edhe më herët në letërsinë e përbotshme, por autorë të tillë i kanë dhënë fokus dhe rëndesë mënyrës sesi është e organizuar shoqëria njerëzore dhe mekanizmat që përdoren për kontrollin apo manipulimin individit.
Për të vijuar më tej, vlen të përcjellim në mënyrë të thjeshtëzuar konçeptet kyçe të biopolitikës dhe biofuqisë: Biopolitika është një koncept i shkencave sociale dhe politike që fokusohet në studimin e mënyrës se si pushteti modern vepron mbi trupin, jetën dhe popullsinë e një shoqërie të caktuar. Kjo fushë e studimit analizon mënyrat në të cilat institucionet dhe praktikat qeverisëse kontrollojnë dhe ndikojnë në shëndetin publik, popullsinë, riprodhimin, etninë, klasën sociale, dhe të gjitha aspektet e jetës së njeriut në mënyra të reja dhe të sofistikuara. Biopolitika është e lidhur ngushtë me konceptet e biofuqinë dhe biologjizmit, dhe ka për qëllim të kuptojë se si pushteti modern shfrytëzon dhe manipulon potencialet jetësore të individëve në nivel kolektiv për të arritur qëllimet dhe interesat e tij. Në kohën moderne, biopolitika ka përshkallëzuar sfidat dhe diskutimet lidhur me privatsinë, lirinë individuale, etikën mjekësore, teknologjitë e informacionit dhe kontrollin e trupit dhe jetës njerëzore nga institucionet shtetërore dhe korporatat e fuqishme. Letërsia i artikulon më mirë se çdokush tjetër këto procese apo fenomene sociale në shoqërinë tonë.