Në fjalën e tij në Kuvend, ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për çmimet e rritura të pothuajse të gjitha produkteve në treg, kryesisht për shkak të korrupsionit qeverisës sipas tij.
Berisha u ndal fillimisht te menaxhimi i situatës Covid në vendin tonë, ku sipas tij Shqipëria ka 3 herë më shumë vdekje, në raport me shtete e tjera të BE.
Sa i takon situatës energjitike, Berisha tha se vendimmarrja për Kaskadën e Drinit, e cila është në pikën e saj më kritike, është kriminale dhe duhet hetuar.
Ish-kryeministri bëri thirrje për protesta të të gjithë shqiptarëve.
Sali Berisha nga Kuvendi:
Fatkeqësitë për kombet janë zhvillimet më të padëshiruara, ato shndërrohen në drama të vërteta kur kanë në krye qeveri, që në çdo moment ka dorën e vetë të zezë, gishtin e saj të zi. Keni parë këto ditë ministra dhe ministre që vrapojnë nëpër dyqane, për tu gënjyer ju se iu qan zemra për çmimet e rritua, nga spekulantë, që janë direkt të lidhur me xhepat e tyre.
Keni dëgjuar vetë kryeministrin që ka rrahur gjoksin për suksesin ndaj Covid, duke shpallur një numër prej 20 mijë të vdekurish, numri më i lartë në europë. Janë njerëz ata nuk janë numër, janë fëmijë, baballarë, prindër, janë njerëz që ikën, pse në Shqipëri Covid të jetë 3 herë më vdekjeprurës se në të gjitha vendet e BE? Kjo vdekshmëri ka në bazë vetëm vjedhjen, sepse këta njerëz nuk shtroheshin, sepse Kosova dhe Maqedonia shtronin 3 herë më shumë në spitale, kurse këtu tregoheshin filma.
Një gjë duhet të dini, që hajduti ka vetëm refleksin e vjedhjeve, nuk ka ndjenja. Lajmëtari ndjellakeqës i rritjes së çmimit të naftës dhe energjisë, ishte vetë kreu i qeverisë. Problemi është që në Shqipëri si në asnjë vend tjetër, i paguhet qeverisë 1 euro për litër, sot Italia hoqi aksizën për naftën, 12 vende të tjera i kanë ulur.
A e dini ju që Shqipëria ka energjinë me koston më të ulët në Europë, pasi është energji ujore, a e dini se viti 2021 ka qenë viti kampion i prodhimit të energjisë, ku është prodhuar më shumë sesa është konsumuar, çmi i eksportimit të energjisë mbahet sekret, kanë zbrazur Kaskadën në mënyrë kriminale, 29 metra thellësi kanë zbrazur Kaskadën. E ka shitur 40 euro në një kohë që në bursë ishte 130 euro.
Çfarë ndodh me ushqimet, çdo shtet ka rezervën e naftës, grurit, miellit, këtu janë të gjitha nën rrogoz të kryeministrit. Natyrisht që nëse ka aksione, kjo është një vepër penale. Nuk mund të pranojmë që importuesi i grurit, të mos ketë rezerva për të paktën 2 muaj. Këta që vijnë me lot në faqe, ku kanë zemër këta mor? Këta kanë në zemër vetëm paranë.
Së fundi na sollën edhe gripin e pulave, që e mbajnë si sekret një sëmundje që përbën problem edhe për rajonin, jo vetëm për vendin. Po njerëzit duhej të vdisnin nga epidemia e gripit të shpendëve, nuk kishte rëndësi, mjafton që të ruhej reputacioni i qeveritarëve.
Kjo krizë nuk është afatshkurtër, nuk mund të jepni ju nga 300 lekë që nuk mjaftojnë as për rritjen e çmimit të bukës, pse nuk subvecionuat ju si Kosova, 420 dollarë për çdo hektarë të mbjellë. Ju jeni fajtorë pasi keni dorë, pasuroheni natën mbi mjerimin e shqiptarëve. Kjo pranverë duhet të jetë pranvera e protestave të mëdha.