Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një prononcimi për mediat para SPAK, ku ishte për detyrimin e paraqitjes, komentoi edhe mbi shkarkimin nga detyra të ish-kreut të Policisë, Ilir Proda. Sipas Berishës, Proda u largua nga detyra për shkak se nuk arriti të mbronte Vila e Enver Hoxhës gjatë protestës opozitare të të shtunës.
“Ka një fakt, ishte shënjuar nga ne si bashkëpunëtor i bandave. Por druaj se u largua pasi nuk ka mbrojtur vilën e Enver Hoxhës. Policia na doli kudo me mburoja, aty nuk kishte njeri, ata menduan se nuk kishte njeri,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se gjatë ngjarjes u përhapën thashetheme për banimin e kryeministrit Edi Rama në vilë:
“Aty u tha se kanë futur njerëz të thonë që aty banon Edi Rama. Urrejtja për Ramën është e pa kufijshme, nuk mund ta pengojmë dot ne atë. Por ajo u sqarua, ai jeton herë pas here në vilën e Mehmet Shehut.”
Deklarata e Berishës vjen në kontekstin e tensioneve të fundit politike dhe pas protestave opozitare, duke rihapur diskutimet për mbrojtjen e objekteve historike dhe rolin e strukturave të rendit gjatë ngjarjeve masive.






