Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e kryesisë së PD-së, bëri thirrje për bashkimin e të gjithë demokratëve rreth kësaj force politike. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se ky bashkim nuk është për festë, por për betejë, duke përsëritur kërkesën për krijimin e një qeverie teknike.
Berisha apeloi anëtarët e kryesisë së PD-së që të mos shfaqin hatërmbetje ndaj demokratëve kritikë dhe theksoi nevojën për bashkimin e spektrit opozitar.
“Unë ju drejtohem ju anëtarëve të kryesisë së PD-së. Është në detyrën tuaj më të parë, si edhe të të gjitha strukturave të partisë sonë, të bëjnë gjithçka për të mirëpritur në shtëpinë e tyre të gjithë ata demokratë që e ndjejnë veten të tillë dhe duan të bashkohen me ne. Asnjë nga ne nuk ka të drejtë të shohë asnjë prej tyre me sy vëngër, me hatërmbetje apo me skepticizëm,” tha Berisha.
Ai e konsideroi këtë mbledhje të rëndësishme, duke theksuar se kalvari i imponuar në mënyrë antikushtetuese nga Rama dhe regjimi i tij ka marrë fund. Kryesia mblidhet sot me moton e bashkimit të të gjithë demokratëve rreth flamurit të partisë së tyre, rreth idealeve dhe kontributeve të tyre.
Mesazhi kryesor i kësaj mbledhjeje, sipas Berishës, është mirëpritja e të gjithë atyre që ndër vite kanë dhënë kontribute të pamohueshme në këtë parti dhe që për arsye të ndryshme kanë hezituar të bashkohen me shumicën.
“Ndaj dhe unë bëj thirrjen për të gjithë demokratët që besojnë në idealet që kanë mbrojtur dhe në kontributin që kanë dhënë, të bashkohemi dhe të vazhdojmë betejën tonë. Ky nuk është një bashkim në festë, por në betejë. Në betejë të një rëndësie jetike, vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe kombit shqiptar,” shtoi Berisha.
Ai theksoi se PD-ja ka nevojë të bashkohet jo vetëm me të gjithë mbështetësit e saj, por edhe më shumë se kurrë me të gjithë spektrin opozitar.