13.5 C
Tiranë
Friday, November 29, 2024
spot_img

Bizneset e kundërshtojnë, kërkojnë ulje të taksave dhe zbatohet amnistia fiskale

Paketa fiskale 2023, për 7 shoqata të bizneseve, rrit edhe më shumë kostot e rënduara të prodhuesve dhe rrezikon falimentimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme. Në këtë periudhë krize, kur kostot janë rritur mbi 50% nga shtrenjtimit e lëndëve të para, bizneset kërkojnë t’u ulen taksat, të zbatohet amnistia fiskale, por me kushtin që do të garantojë formalizimin e ekonomisë dhe të kreditohen me fond garancie me interesa 1%.

Paketa fiskale 2023, e propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka rikthyer, edhe një herë, debatin për uljen e taksave për bizneset, me qëllim që të përballohen efektet e krizës globale të rritjes së çmimeve.

Njëzëri, Dhoma e Tregtisë së Tiranës (DHTT), Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë, Shoqata e Ndërtuesve, Qendra e Eksporteve, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Shoqata e Konvertuesve të Plastikës kundërshtuan paketën e re fiskale të propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë dhe Shoqatat e biznesit, vlerësojnë se paketa e re fiskale nuk i ndihmon bizneset në përballimin e krizës së rritjes së çmimeve.

Kryetari i DHTT, Nikolin Jaka, nënvizoi se ndryshimet fiskale për rritjen e gjobave, ndryshimet për unifikimin e akcizës te birra dhe pijet alkoolike vijnë në një kohë kur prodhuesit po përballen me rritje të kostove që shkojnë mbi 50%. Sipas tij, masat e reja fiskale thellojnë rëndimin e situatës ekonomike në Shqipëri dhe rrezikojnë falimentimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, të cilat ende vuajnë pasojat e tërmetit të 2019-s dhe pandemisë.

Shoqatat e biznesit, në këtë situatë krize që po kalon vendi, si rrjedhojë e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe pasojave negative që po krijohen nga rritja e çmimeve në tregun global, rekomanduan të ndërmerret një paketë e strukturuar e mbështetjes financiare, për të përballuar rritjet e kostove të prodhimit dhe për t’i dhënë sipërmarrjes frymëmarrje dhe mbështetje financiare që është e domosdoshme për kthimin sa më parë në normalitet të saj.

Shoqatat e biznesit kërkojnë që, në këtë periudhë krize, kur prodhuesit janë të varur nga importi i lëndëve djegëse dhe të para ndihmëse, të ekspozuar dhe të pambrojtur nga koniunkturat e çmimeve në bursat ndërkombëtare, të ndërmerret ulja e taksave.

Ndër propozimet kryesore të tyre janë heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet që lidhen për investimet. Heqjen e akcizës së gazit që hyri në fuqi nga 1 korriku 2022. Për sipërmarrësit, niveli i akcizës 6 lekë për litër te gazi rrit kostot për shpenzime nga 10 deri në 20%. Të hiqet taksa e qarkullimit të karburantit për industrinë e ndërtimit, si dhe të hiqet taksa e pasurive për ndërmarrjet prodhuese.

Përpunuesit e qumështit, të cilët prej muajsh vuajnë shtimin e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të qumështit dhe të energjisë (për prodhuesit e lidhur me tensionin e lartë 35 volt, çmimi i energjisë nga 1 tetori arriti 59,5 lekë për kWh, 75% më shumë se janari 2022), përsëritën kërkesën për subvencionim direkt 10 lekë për litër qumësht. Skema kombëtare subvencionon fermerët e mbështetur te prodhimi i qumështit për krerë bagëtie.

Përpunuesit thonë se skema aktuale nuk arrin të ndihmojë sektorin, në një kohë kur problematikave të pazgjidhura ndër vite në blegtori, iu shtua në vitin 2022 edhe rritja e kostove nga heqja e skemës së TVSh-së të rimbursueshme.

Përpunuesit më herët kanë pohuar se situata është më e vështirë se në 2019-n, kur TVSH-ja që kompensohej, u ul nga 20% në 6%. Me ndryshimet fiskale të paketës së mëparshme, nga 1 janari fermerëve iu ngarkua edhe 10% i TVSH-së te çmimet e inputeve bujqësore të importit, që prej 2018-s nuk taksoheshin.

Bizneset kërkuan gjithashtu edhe krijimin e një fondi garancie për kreditimin e industrive prodhuese me afat 5-vjeçar, për një periudhë mospagimi deri një vit me interesa 1%.

Zbatimi i amnistisë fiskale u mbështet edhe nga shoqatat e biznesit, por me kushtin që nëpërmjet ligjit të garantohet që pas implementimit, konkurrenca e bizneseve të ndershme të mos dëmtohet nga informalët.

Paketa fiskale e vitit 2023 nuk sjell ndryshime thelbësore në ligjet e tatimeve, përveçse i rrit se tepërmi penalitetet për disa kategori dhe veprime të bizneseve dhe unifikon akcizën për industrinë e birrës dhe pijeve alkoolike.

Një ndryshim në ligjin e procedurave tatimore synon dhjetëfishim të gjobave për moslëshimin e faturave për furnizim, pagesë apo pranim të mallrave apo shërbimeve në rastet e parashikuara në germën a, të pikës 3, të nenit 123 për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ.

Sipas ndryshimeve të propozuara, “për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ ishte 150,000 lekë, bëhet 1,500,000 lekë.” Ndryshimet parashikojnë rritjen e penaliteteve për tatimpaguesit entitete për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës.

Në legjislacionin aktual, penaliteti është 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për të gjithë tatimpaguesit. Në ndryshimet e reja, bëhet 200% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit entitete juridike dhe 100% të detyrimit dhe kontributit për të gjithë tatimpaguesit e tjerë. Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimi vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish.

Unifikimi i akcizës së birrës rrezikon falimentimin e 100 mln eurove investime

Prodhuesit vendas të birrës kanë bërë sërish thirrje për mosbarazimin e nivelit të akcizës, pasi rrezikon falimentimin e sektorit. Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve Vendas, Stefan Pinguli, theksoi se unifikimi i akcizës, në kushtet e krizës së rritjes së kostove dhe uljes së konsumit do të jetë goditje finale për industrinë. Pinguli pohoi se rreth 2 mijë të punësuar në sektor rrezikojnë të mbeten pa punë. Ndër vite, nga prodhuesit vendas, për këtë industri është investuar sipas shoqatës në total 100 mln euro.

“19 vite më parë, mbështetur në legjislacionin e direktivës së BE-së, nga Shoqata e Prodhuesve të Birrës është kryer një studim, ku rezultoi që të gjitha bizneset prodhuese mbi 200,000 hl për popullsi mbi 1 mln banorë, kryesisht importues, kanë kosto më të ulët prodhimi se ata që prodhojnë nën këtë nivel. Mbi këtë studim, nga qeveria, u mor vendimi për të kompensuar kostot e prodhuesve vendas në raport me importuesit.

Edhe masa fiskale vijoi të zbatohet për vite radhazi, pra diferencim i akcizës, birra e importit zë të lartë te konsumi në nivelin 53% të tij. Tashmë, me masën e re fiskale të propozuar për të dyfishuar akcizën, do të dëmtohen prodhuesit vendas. Për zhvillimin e industrisë janë investuar rreth 100 mln euro dhe janë rreth 2 mijë të punësuar (duke përfshirë edhe shpërndarësit).

Prodhuesit, ndër vite, kanë marrë masa financiare për të mbijetuar, madje kanë marrë edhe borxhe. Me këtë masë, falimentimi i industrisë është i sigurt. Po ku do të shkojnë gjithë këta të punësuar? Për këto arsye i shohim të paarsyeshme ndryshimet e propozuara. Në vend që të merremi me uljen e pullës fiskale, që zë 50% të vlerës së akcizës së birrës, propozohet dyfishimi i akcizës”, pohon ai.

Ndryshimet në projektligjin për akcizën, të propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë unifikojnë akciza për prodhuesit dhe importuesit nën dhe mbi 200,000 Hl në masën 710 lekë për Hl. Me ligjin aktual, akciza për prodhuesit dhe importuesit me sasi më të vogël se 200,000 HL në vit është 360 lekë/HL dhe për fashën mbi 200,000 HL në vit është 710 lekë/Hl.

Me paketën e re unifikohet edhe akciza e pijeve të forta alkoolike me nivel tarife 84,500 lekë për HL alkool. Akciza për pije alkoolike nga prodhues vendas e të huaj, të përfituara nga distilimi i verës së rrushit apo të përbërësve të rrushit, për pije alkoolike, si: uiski, rum dhe të tjera pije të përfituara nga distilimi i produkteve të fermentuara nga kallami i sheqerit, si xhin dhe xheneva, vodka, likere tonike dhe uzo është e ndarë në dy fasha.

Ndërtuesit kërkojnë heqjen e tre taksave: Rrisin 40% ngarkesën fiskale

Tre taksat, si: taksa 3% për banesat sociale, taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe ajo e transportit të dherave rrisin artificialisht 35% deri në 40% barrën fiskale të ndërtuesve.

Për përfaqësuesin e Shoqatës së Ndërtuesve, Luigji Aleksi, këto taksa, jo vetëm po ndikojnë te kostot, por janë të miratuara në kundërshtim me legjislacion shqiptar dhe të BE-së. Sektori i ndërtimit kërkon heqjen e këtyre taksave, pasi nëse ndërtuesit do të lehtësohen prej tyre, do të nisë rënia e çmimeve të apartamenteve.

“Taksa e ndikimit në infrastrukturë ka qenë e përcaktuar në dy nivele, nga 2 deri në 4% (e ndarë për ndërtimet në rrethe dhe Tiranë) bazuar te norma e kushtimit dhe jo e fitimit. Me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, është vendosur niveli i taksës 8% mbi çmimin e shitjes.

Sipas llogaritjeve, taksa e ndikimit në infrastrukturë është rritur 10 deri në 12 herë. E përkthyer në kosto, për qytetarët do të thotë se një apartament në qendrën e Tiranës me çmim 1,500 euro për metër katror, nga çmimi i shitjes janë 500 euro për metër katror taksa që i shkojnë bashkisë.

Automatikisht, çmimi për kryeqytetasit do të ishte 1,000 euro për metër katror, nëse nuk do të zbatohej kjo taksë që i shkon Bashkisë së Tiranës dhe jo buxhetit të shtetit që, më pas, do të shpërndahej për pensione më të larta, për paga më të larta arsimtarët, mjekët dhe pedagogët. Kjo do të ishte gjysma e së keqes. Kjo taksë që i shkon bashkisë nuk ka asnjë bazë logjike. Për këtë, qytetarët duhet t’i paguajnë 1,5 herë më shtrenjtë çmimet apartamenteve

Edhe taksa e dherave është e jashtëligjshme, në kundërshtim me vendimet e direktivës europiane dhe të Këshillit të Ministrave. Po kështu është edhe taksa e strehimit social”, pohon ai.

Shoqata e Ndërtuesve paralajmëroi gjithashtu se do të rinisë betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese për tre taksat që sipas tyre janë në kundërshtim me ligjet e qeverisë shqiptare dhe direktivave të BE-së.

Pse janë rritur çmimet e apartamenteve

Në Tiranë, krahasuar me një vit më parë, çmimet e apartamenteve janë rritur 40%. Ndërsa indeksi i rritjes së çmimeve të apartamenteve për 6-mujorin e parë të 2022 është 28,5% ndaj periudhës paraardhëse, sipas të dhënave të raportit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë.

Sipas Indeksit Fischer 12, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës janar-qershor 2022 është rritur me 28,4% në krahasim me 6-mujorin e kaluar dhe me 39% në krahasim me një vit më parë. Kjo ecuri u përcaktua sidomos nga rritja e vëllimit të shitjeve të kryera në zonën e Tiranës, e cila përfshin qendrën, periferinë dhe zonat jashtë qytetit.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigji Aleksi, tha për “Monitor” se dy faktorët që kanë ndikuar te rritja e çmimeve janë shtrenjtimi i lëndëve të para dhe taksat.

“Taksat e larta që aplikohen te ndërtuesit rrisin automatikisht 50% çmimet e apartamenteve. Këtë vit, gjithashtu ka pasur rritje të lartë të lëndëve të para. Çmimi i tullave është dyfishuar nga 35 lekë/copë në 70 lekë për copë, çimentoja, hekuri po ashtu janë shtrenjtuar. Në anën tjetër, ka edhe rritje të kostos së fuqisë punëtore. Pagat e punonjësve të ndërtimit janë rritur”, veçoi ai.

Shoqata e Ndërtuesve pranoi edhe se në sektorin e ndërtimit ka prani të flukseve të parasë informale, por sipas z. Luigji Aleksi, ato nuk po ndikojnë për rritjen e çmimit të shitjes nga ndërtuesit. “Paranë informale nuk e kanë ndërtuesit, por ata që blejnë”, thotë ai.

Eksportuesit kërkojnë ulje të taksave për të rritur konkurrueshmërinë

Për drejtuesin e Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, të dhënat e INSTAT për rënien e eksporteve drejt Kosovës për dy industritë, atë të materialeve të ndërtimit dhe produkteve agro-industriale janë fakt i politikës së gabuar fiskale që qeveria po zbaton në këtë periudhë krize për prodhuesit.

Zusi rekomandon që qeveria, përmes kësaj pakete fiskale të ndryshojë urgjentisht hipotezën e saj të zhvillimit ekonomik dhe të tezës për tejkalimin e krizës. Sipas tij, rritja e penaliteteve nuk është produktive, por duhet të shkohet në uljen e barrës fiskale dhe të ketë një rishpërndarje të saj, me qëllim që prodhuesit të mos humbasim tregje.

“Së pari, deri para një viti, fabrikat e prodhimit të tullave 40% të prodhimit të tyre e eksportonin në Kosovë. Sot, janë në nivelin zero.

Ky prodhim është zëvendësuar nga industritë vendase kosovare, që është lajm i mirë në nivel kombëtar, por lajm i keq për industrinë vendase. Këta prodhues, jo vetëm që po plotësojnë tregun e tyre, por kanë hyrë edhe në Tropojë, edhe në Kukës. Kostoja e lartë fiskale e të gjitha lëndëve të para të rritura, të përballuara nga bizneset shqiptare, ka rritur çmimet në mënyrë të tillë që po i bën jokonkurrues brenda disa muajsh me industrinë kosovare.

Së dyti, në 6-mujorin e parë 2022, Shqipëria ka humbur rreth 30% të eksporteve të fruta-perimeve me Kosovën. Në sezonin e dytë parashikohet të humbasim 50% të eksporteve. Në këtë sektor nuk jemi zëvendësuar nga prodhuesit nga Kosova, por nga Turqia.

Edhe në këtë treg po zëvendësohemi nga prodhues të huaj, sepse hipoteza ekonomike që u ndoq në këta 8-9 muaj, që biznesi të përballojë i vetëm rritjen e kostove, madje dhe t’i shtohen taksa të reja, siç ishte vendosja e akcizës së gazit, po çon në rrudhjen e prodhimit dhe humbjen e tregjeve të eksporteve”.

Pse kërkohet zbatimi i amnistisë fiskale

Në muajin qershor, qeveria publikoi në konsultimet publike draftin e amnistisë fiskale, i cili legalizon të ardhurat deri në 2 mln euro kundrejt tatimit 5 deri në 10%. Në këtë fazë konsultimesh, nisma është kundërshtuar nga FMN, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, pasi vendos në pozita të pabarabarta biznesin e ndershëm dhe nuk lufton evazionin.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Qendra e Eksporteve dhe Prodhuesit e Birrës kërkojnë zbatimin e një drafti të mirëstudiuar në konsultim me ta, me qëllim që të garantohet ligjërisht ndalimi i evazionit, shqetësimi më i madh që pengon zhvillimin e konkurrencës së ndershme, pas legalizimit të ardhurave.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, 12 vite më parë ka qenë e pranishme me një draft të amnistisë fiskale. Drafti i rekomanduar ishte gjithëpërfshirës, bazuar në ligjin e implementuar në atë kohë në Spanjë dhe Itali.

Edhe pse u fokusuam shumë në këtë draft, ku u zhvilluan konsultime me ekspertë të huaj dhe vendas, qeveria e atëhershme e përdori për qëllime politike, duke e kaluar këtë ligj brenda 24 orëve në Parlament, të padialoguar me sipërmarrjen private. Po ndodh e njëjta situatë. Kemi një draft të amnistisë fiskale me shumë debate dhe komunikime me të huaj dhe vendas, por nuk ka nisur diskutimet me grupet e interesit.

Moralisht, amnistia fiskale është e padrejtë, pasi dekurajon sipërmarrjen e ndershme. Por, nga ana tjetër, për çdo sipërmarrës të ndershëm që vuan pasojat, duke konkurruar sipërmarrës informalë është më mirë të amnistohet dhe të futet në ligjshmëri biznesi që ka dëmtuar konkurrencën.

Për të mos dekurajuar sipërmarrësit e ndershëm, por ata informalë, kërkojmë që instrumente dhe institucionet përgjegjëse të formalizimit të ekonomisë të jenë të pranishëm pa kompromis në këtë draft. Aktualisht, nuk parashikohet parandalimi i informalitetit pas zbatimit të amnistisë.

Fillimisht, duhet kuptuar se cilat janë problemet e sipërmarrjes. Nëse nuk garantohet barazia mes bizneseve pas zbatimit të amnistisë, kjo nismë do të jetë qokë e radhës”, pohon z. Nikolin Jaka.

Edhe për drejtuesin e Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, në fokus të zbatimit të kësaj nisme duhet të jetë formalizimi i ekonomisë.

“Dështuam me politikën e fiskalizimit për formalizimin e ekonomisë, e paralajmëruar edhe më parë nga bizneset që fiskalizimi nuk është formalizim. Do të dështojmë edhe me amnistinë fiskale, nëse nuk formalizojmë ekonominë.

Duhet të bëhet e mundur që të gjithë të paguajnë nëpërmjet instrumenteve të tregut dhe jo nëpërmjet kamxhikut. Me kamxhik do të paguajnë vetëm ata që gjithmonë paguajnë më tepër.

Do të vijë momenti që do t’i thyejmë edhe ato dhe nuk do të kemi më prodhim dhe eksporte. Ekonomia shqiptare do të jetë një magazinë e produkteve europiane, në të cilën do të mbetet shumë pak vend për të jetuar mirë”.

Ulja e taksave që kërkohen nga bizneset

1.Ulja e ngarkesës fiskale, duhet të vlerësohet si masa kryesore që duhet të ndërmarrë qeveria për përballimin e rritjes së çmimeve në tregun botëror.

2.Miratimi i ligjit për amnistinë fiskale do të jetë një mbështetje për ekonominë. Projektligji, i cili po ripunohet nga qeveria, duhet të marrë në konsideratë edhe amnistimin e kapitaleve/vlerave financiare të subjekteve tregtare. Kapitalet e mësipërme që do të legalizohen në favor të subjekteve tregtare, fillimisht duhet të jenë verifikuar në mënyrë të detajuar pasqyrat financiare të secilit prej subjekteve tregtare, dhe së dyti, pasi të jetë paguar tatimi mbi fitimin e kapitaleve të saktësuara të subjekteve tregtare.

Ndërmarrja e masave emergjente deri në përfundimin e krizës

3.Të pezullohet detyrimi i parapagimit të TVSH-së në doganë për importin e lëndëve të para për industritë prodhuese.

4.Të bëhet menjëherë rimbursimi i TVSH-s së prapambetur.

5.Heqja e TVSH-së për të gjithë listën e makinerive dhe të pajisjeve, që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin, për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme fotovoltaike dhe eolike.

6.Heqja e kufirit të TVSH-së për importin e makinerive që përdoren për investim, përjashtimi nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave, pasi rritja 10-fish e këtij tavani nga 50 milionë në 500 milionë lekë, po ndikon në uljen e interesit të investitorëve vendas dhe të huaj, për të investuar në teknologji, veçanërisht në të gjitha industritë prodhuese.

7.Për kompanitë që investojnë në energjitë e rinovueshme (dielli, era), deri në vitin 2030, të përjashtohen nga tatimfitimi.

8.Të hiqet taksa e pasurive, sidomos për ndërmarrjet prodhuese dhe atyre që kanë sipërfaqe të mëdha, pasi kjo taksë po i rëndon së tepërmi.

9.Krijimi një fondi garancie për kreditimin e industrive prodhuese nga bankat e nivelit të dytë. Nëpërmjet këtij fondi, i ngritur me kontributin e qeverisë dhe donatoreve, do të lehtësohet aksesi për kredi për bizneset që operojnë në sektorin e industrive prodhuese, agroindustrisë etj. Fondi i garancisë të operojë deri në 5 vjet, të krijojë kushte lehtësuese kreditimi, për një periudhë mospagimi deri në një vit, me interesa 0 – 1%.

10.Për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë:

i) Normë të reduktuar të TVSH-së në shitje për sektorin e përpunimit të qumështit në 6% siç e kanë aktualisht edhe vendet e rajonit;

ii). Heqjen e akcizës së gazit në 6 lekë/litër. Në të gjithë rajonin dhe vendet e BE-së, industria përpunuese është e përjashtuar nga akciza e gazit dhe i njëjti model duhet të implementohet edhe në vendin tonë;

iii) Gjithashtu, kërkojmë që në sektorët që do të mbështeten nga fondi i programit për bujqësinë e zhvillimin rural, për vitin 2023, të përfshihen patjetër skemat e subvencionimit, si më poshtë vijon:

a) Mbështetje direkte 10 lekë për litër qumësht pa limit të dorëzuar në pika të licencuara grumbullimi ose përpunimi;

b) Mbështetje direkte 10 000 lekë për çdo krerë lopë PA LIMIT të numrit të krerëve;

c) Mbështetje direkte 2 500 lekë për çdo krerë dele/dhi PA LIMIT të numrit të krerëve;

d) Mbështetje direkte 4 500 lekë për krerë lopë PA LIMIT, nëse e dërgon në thertore të licencuar;

e) Mbështetje direkte 800 lekë për krerë dele/dhi PA LIMIT nëse e dërgon në thertore të licencuar;

f) Mbështetje direkte 20 000 lekë /ha PA LIMIT për tokë të mbjelle nga fermat dhe blegtorët në funksion të blegtorisë me misër, etj (plus 10 000 lekë nëse përdoret farë e certifikuar);

iv) Heqja dhe reduktimi i TVSH-së për lëndët e para si: Heqja e TVSH së bërsisë së sojës meqenëse është një produkt që nuk prodhohet në vendin tonë; Heqja e TVSH-së së mineraleve, vitaminave e premikseve që përdoren për ushqim për kafshë dhe zogj. Reduktimi i TVSH për misër dhe grurë që përdoret për ushqim për kafshe.

v) Të subvencionohet sektori i prodhimit të mishit të shpendëve (është i vetmi sektor që nuk ka përfituar asnjë subvencion)në masën 40-50 lekë/kg mish të prodhuar/shitur. Kjo do ndihmonte edhe në formalizimin e këtij sektori; vi) Vendosja e taksës doganore të importit për produktet e ushqimit për kafshë.

Ushqimet për kafshë që importohen kryesisht nga Serbia, Italia dhe Kroacia, çmimet e shitjes së tyre janë 10-15% më të lira se prodhimi i vendit (kompania Agrotek Alb), duke e konkurruar padrejtësisht.

Kjo konkurrencë nga importi, krahasuar me Shqipërinë, është se këto shtete subvencionojnë prodhimin e ushqimeve të kafshëve.

Kapacitetet e prodhimit të këtyre produkteve në Shqipëri mund të përballojnë kërkesat që ka tregu. Edhe Kosova, që në muajin prill 2022, zbaton vendimin “Për caktimin e masës mbrojtëse antidumping në importin e koncentratit për shpezë dhe kafshë nga Serbia.

11.Të reduktohen taksat vendore për sektorin e agrobiznesit, si taksa prone, trualli, arsimi etj., (prodhim ushqimesh blegtorale, rritje kafshësh, zogj, prodhim qumështi etj).

12.Heqja e akcizës për gazin. Ndryshimet që u miratuan nga qeveria për vendosjen e akcizës 6 lekë/litri aktualisht rëndon në kosto një pjesë të madhe të prodhuesve që përdorin gazin si lëndë djegëse për prodhim industrial. Nëse qeveria do të mbajë këtë akcizë, duhet nga ana tjetër të zbatojë mekanizmin e rimbursimit.

13.Të hiqet taksa 3% për banesat sociale (neni 19 i Ligjit Nr.22/2018 “Për Strehimin Social”). Kjo taksë konsiderohet diskriminuese, pasi penalizon ose vë para detyrimit vetëm sektorin e ndërtimit. Në këto kushte, propozojmë që kjo të bëhet taksë kombëtare të jetë 1% e fitimit, duke e shtuar te tatimfitimi ku nga 15% të bëhet 16%.

14.Heqja e tarifës së skanimit për të gjitha automjetet që transportojnë mall në vlerë më të vogël se 2,000 euro. Për një automjet me vlerë totale 1001 euro në total mall, paguhen 25 euro skanim, i cili nuk kryhet e nuk është kryer ndonjëherë.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT