Këshilli i Ministrave ka miratuar një rregullore të re për shfrytëzimin e hapësirave publike, e cila përcakton se baret, restorantet, hotelet dhe kioskat mund të përdorin deri në 25% të gjerësisë së trotuarit, por çdo leje e re do të kushtëzohet me mbjelljen e një peme për çdo karrige të vendosur. Leja konsiderohet e vlefshme vetëm pasi të dokumentohet zyrtarisht mbjellja e pemëve dhe përmbushja e detyrimeve tatimore dhe financiare përkatëse.
Rregullorja, që përbëhet nga 13 kapituj, trajton gjithashtu vendosjen e strukturave reklamuese, përdorimin e fasadave, organizimin e panaireve dhe menaxhimin e hapësirave në plazhe, ndërsa ndalon vendosjen e vazove, tapeteve apo zgarave pjekëse mbi hapësirë të gjelbër pa aspirator.
Lejet për shfrytëzimin e trotuareve do të aplikohen në platformën e-Albania dhe do të jenë me afat 2-vjeçar, ndërsa ato provizore për raste festive do të zgjasin 30 ditë. Bizneset që shkelin kushtet e lejes do të paralajmërohen fillimisht për korrigjim brenda 2-5 ditëve, ndërsa nëse shkeljet nuk korrigjohen, gjoba fillon nga 35.000 lekë për metër katror sipas sipërfaqes së shfrytëzuar.






