Një betejë e madhe ligjore ka shpërthyer në Shtetet e Bashkuara mes këngëtares shqiptare Bleona Qerreti dhe aktivistes Evi Kokalari. Sipas dokumenteve zyrtare, më 14 gusht 2025, Bleona ka depozituar një padi në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut, duke kërkuar një dëmshpërblim minimal prej 2 milionë dollarësh.
Në akt-padi, këngëtarja pretendon se Kokalari ka zhvilluar një fushatë të qëllimshme shpifjesh dhe ka bërë deklarata të pavërteta e dëmtuese kundër saj, kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe kanaleve të tjera publike. Mes tyre, Kokalari ka përdorur shprehje fyese dhe akuza të rënda, duke e cilësuar Bleonën si “prostitutë”, “call girl”, “striptiste” dhe “artiste kabareje”.
“Kokalari ka bërë disa nga këto deklarata edhe në biseda private me të tjerë gjatë vitit të fundit, megjithëse ajo e di se janë gënjeshtra. Këto pretendime janë fabrikuar mbi bazën e një skeme të paramenduar për të dëmtuar karrierën e paditëses dhe për të avancuar interesat personale të Kokalarit,” thuhet në akt-padi.
⸻
Si nisi konflikti mes Bleonës dhe Kokalarit
Avokatët e Qerretit sqarojnë se dyshja janë njohur në vjeshtën e vitit 2020, në një kohë kur Kokalari kishte shfaqur ambicie për t’u përfshirë në politikë. Fillimisht, raporti mes tyre ka qenë i mirë, por, sipas padisë, marrëdhënia degradoi deri në pika konflikti publik.
Në dokumentin zyrtar theksohet se deklaratat e Kokalarit kanë lënë gjurmë të thella mbi reputacionin e Bleonës, duke i shkaktuar dëme financiare, emocionale dhe të imazhit publik si në SHBA, ashtu edhe në Shqipëri.
Gjithashtu, avokatët pretendojnë se Kokalari, e cila zotëron firmën Golden Key Investment Group në Nju Jork dhe përdor disa emra të ndryshëm – Evi Angelakis, Evis Kokalari dhe/ose Evis Angelakis – ka bërë disa statuse publike dhe ka shpërndarë informacione të manipuluara, përfshirë edhe imazhe të shtrembëruara.
⸻
Akuza për shpifje me emra të rëndësishëm të politikës dhe showbiz-it
Një pjesë e akt-padisë, e siguruar nga VoxNews, zbulon se Evi Kokalari ka përmendur edhe figura të njohura të politikës shqiptare dhe botës së showbiz-it, duke i përfshirë ato në pretendimet e saj për Bleonën.
Sipas dokumentit, Kokalari ka thënë publikisht se Bleona i ka treguar vetë se:
• Kryeministri Edi Rama dhe moderatorja/këngëtarja Alketa Vejsiu kanë qenë në lidhje për një kohë të gjatë
• Rama “donte të linte gruan për t’u martuar me Alketa Vejsiun”
• Një ish-president i Shqipërisë ka qenë në marrëdhënie me këngëtaren Xhensila Myrtezaj
• Bleona ka pasur marrëdhënie intime me ish-presidentë dhe ministra të Shqipërisë dhe Kosovës
Avokatët e Qerretit i cilësojnë këto deklarata si “të fabrikuara dhe të pabazuara në asnjë fakt”, duke theksuar se këto janë shpikje me qëllim të qartë për të njollosur figurën e saj publike dhe për të krijuar tensione në marrëdhëniet e saj personale dhe profesionale.
“Paditësja nuk i ka thënë kurrë Kokalarit këto gjëra. Po ashtu, ajo nuk ka fjetur kurrë me ish-presidentë apo ministra të Shqipërisë dhe Kosovës. Kokalari i shpiku këto gënjeshtra për ta paraqitur paditësen si të pamoralshme dhe të pabesueshme,” theksohet në akt-padi.
⸻
Kërkesa e Bleonës: 2 milionë dollarë dëmshpërblim
Në fund të padisë, Bleona Qerreti i kërkon Gjykatës së Lartë të Nju Jorkut që Evi Kokalari të detyrohet:
• Të tërheqë publikisht çdo deklaratë shpifëse
• Të paguajë dëmshpërblim minimal prej 2 milionë dollarësh
• Të mbulojë shpenzimet gjyqësore dhe interesat ligjore para dhe pas vendimit
• Të paguajë dëme ndëshkuese shtesë, shuma e të cilave do të përcaktohet gjatë procesit gjyqësor
Sipas avokatëve, sjellja e Kokalarit ka shkaktuar “dëme të konsiderueshme financiare” dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në “rrënimin e një karriere të suksesshme ndërkombëtare” që Bleona ka ndërtuar me vite pune.
⸻
Për momentin, Evi Kokalari nuk ka bërë asnjë reagim publik lidhur me padinë. Por, duke marrë parasysh peshën e akuzave dhe përfshirjen e emrave të njohur të politikës e showbiz-it shqiptar, procesi pritet të tronditë opinionin publik dhe të tërheqë vëmendje të madhe mediatike, si në Shqipëri, ashtu edhe në SHBA.






