10.5 C
Tiranë
Tuesday, March 17, 2026
spot_img

Cështja e Ahmetaj, Prokuroria e Posaçme bën deklaratë e papritur se ndjehet e intimiduar nga artikuj të ndryshëm të publikuar në portale

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit deklaroi në një deklaratë të pazakontë të premten në darkë se ndjehet e intimiduar nga artikuj të ndryshëm të publikuar në media apo në portale në lidhje me hetimin ndaj ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj ndërsa theksoi se prokurori Klodjan Braho është tërhequr sakaq nga çështja “me kërkesë të tij.”

SPAK, e cila përballet me pikëpyetje të shumëfishta mbi hetimin e kryer mbi aferën e incineratorëve, kundërshtoi sugjerimet se prokurorët kanë kryer hetime të paplota duke shmangur nga përgjegjësia zyrtarë të ndryshëm të dyshuar për vepra të rënda penale në lidhje me atë që mund të konsiderohet si skandali më i madh korruptiv i dekadave të fundit në vend.

SPAK bëri të ditur gjithashtu se çështja që lidhet me Arben Ahmetajn, është ndarë si hetim më vete.

Çështja e incineratorëve nisi pas denoncimeve të shumëfishta nga politikanë të opozitës dhe nga shoqëria civile vite më parë. Prokurorët Klodjan Braho dhe Ened Nakuçi kanë dërguar sakaq për gjykim një numër zyrtarësh, përfshirë ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako, krahas disa zyrtarëve të nivelit më të ulët dhe pronarëve të kompanive koncesionare, të dyshuar për korrupsion aktiv e pasiv, për pastrim parash dhe për abuzim me detyrën.

Prokurorët vendosën gjithashtu që të hetojnë më vete të tre projektet koncesionare, një në Elbasan, një në Fier dhe një në Tiranë, ndërsa urdhëruan sekuestro për dy projektet e para, duke mos vepruar deri më tani për projektin e Tiranës, i cili është më i madhi dhe që vijon të tërheqë fonde të stërmëdha nga taksapaguesit.

Por në shtator të vitit të kaluar, gazetari Adriatik Doçi dorëzoi në SPAK prova që kompromentonin ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj në lidhje me aferën. Provat në fjalë duket se janë grumbulluar nga biznesmeni Klodian Zoto, i cili mblodhi dhe ruajti fatura hoteli të paguara prej tij për Ahmetajn.

SPAK sqaron se dhjetë ditë më vonë ka vendosur të ndajë si hetim më vete procedimin ndaj Ahmetajt.

“Në lidhje me veprimet e kryera nga shtetasi Arben Ahmetaj në cilësinë e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Drejtësisë, si dhe në lidhje me disa fakte dhe rrethana të tjera që kanë rezultuar nga hetimet e paraprake, është vendosur ndarja e çështjes penale duke u rregjistruar proçedimi [SIC] penal nr.277/1, datë 19.09.2022,” shkroi SPAK në njoftimin e së premtes.

SPAK bëri gjithashtu të ditur se prokurori Klodjan Braho është tërhequr nga çështja me kërkesë të tij në janar të këtij viti.

“Aktualisht, proçedimi penal nr.277/1 viti 2022 është duke u hetuar nga prokurore Enkeleda Millonaj, pasi me vendimin e Drejtuesit të Prokurorisë të datës 30.01.2023 është vendosur zëvendësimi i prokurorit Klodjan Braho, me kërkesë të këtij të fundit,” thotë njoftimi, pa sqaruar se për çfarë arsyeje Braho është tërhequr nga çështja.

“Prokuroria e Posaçme kundërshton çdo tentativë për intimidim dhe sulme personale ndaj prokurorëve të posaçëm që synon t’i kufizojë ata nga kompetenca dhe përgjegjësia e tyre për të ushtruar ndjekjen penale sipas Kushtetutës dhe ligjit,” deklaroi SPAK, pa bërë të ditur se kush janë mediat apo portalet që po tentojnë ta intimidojnë dhe pa bërë të ditur nëse ka hapur ajo jo hetime për intimidim të prokurorëve, gjë që nëse ka ndodhur, përbën vepër penale.

E krijuar në vitin 2019 si pjesë e Reformës në Drejtësi, SPAK u konsiderua si institucioni që duhej t’i jepte fund pandëshkueshmërisë. Qytetarët dhe palët politike shprehën besimin e tyre te ky institucion duke dërguar një numër të konsiderueshëm kallëzimesh. Por shumë nga çëshjet më të nxehta të kallëzuara kanë mbetur në fazën e hetimeve paraprake ndërsa tani SPAK nuk e fsheh faktin se ndjehet nën presion, jo nga politika apo nga krimi, por nga “media dhe portale.”

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Tritoli ndaj makinës së Oltjon Klosit: 7 të arrestuar, zbardhet skema e atentatit

0
Policia ka zbardhur detaje të reja nga shpërthimi me tritol i makinës së Oltjon Klosit, i ndodhur më 10 mars, duke vënë në pranga...

Operacioni “Synimi” në Tiranë: Kapet me tritol dhe armë, arrestohet 46-vjeçari

0
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Synimi”, duke goditur një rast të transportimit dhe tentativës për shitje të armëve dhe...

Tragjedi në Tiranë: Autoboti përplas për vdekje një grua pranë Gjykatës së Apelit

0
Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen është shënuar pak më parë në Tiranë. Një autobot i UKT-së ka përplasur një grua që...

Horoskopi ditor, e Martë, 17 Mars 2026

0
Dashi Dita sjell energji dhe vendosmëri, por duhet të kontrolloni impulsivitetin. Në punë mund të lindë një sfidë që kërkon zgjuarsi. Në dashuri, tregoni më...

Parashikimi I motit, e Martë, 17 Mars 2026

0
Më 17 mars 2026, moti pritet të jetë i paqëndrueshëm, me vranësira të shpeshta dhe kthjellime të herëpashershme. Paraditja do të dominohet nga vranësirat...