Më shumë se tre milionë dokumente janë deklasifikuar në kuadër të çështjes së Jeffrey Epstein, në një skandal që ka prekur nivele të larta brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara. Krahas dosjeve që lidhen me akuzat për abuzim seksual ndaj të miturve, vëmendje kanë tërhequr edhe dokumente që flasin për interesin e financierit ndaj çështjeve të UFO-ve dhe fenomeneve të pretenduara jashtëtokësore.
Sipas Javier Sierra, kontribues në programin televiziv “Cuarto Milenio” të Iker Jimenez, ndër dokumentet e deklasifikuara gjendet një email i datës 26 shkurt 2018, drejtuar fizikantit teorik dhe kozmologut amerikan Lawrence Krauss. Ky i fundit ishte shkarkuar më herët nga posti i tij për shkak të akuzave për sjellje të papërshtatshme dhe njihet për qëndrimet e tij skeptike mbi fenomenet paranormale.
Sierra tha se, sipas dokumenteve, Epstein i kishte dërguar Krauss artikuj që kundërshtonin pretendimet për rrëmbime nga alienët, përvoja pranë vdekjes apo fenomene të tjera të mbinatyrshme. Ai dyshohet se kishte dhuruar dy milionë dollarë për organizatën e lidhur me Krauss, me qëllim mbështetjen e këtyre qëndrimeve skeptike.
Gjithashtu, dokumente të tjera sugjerojnë se persona të interesuar për studimin e UFO-ve kishin kontaktuar Epstein për të kërkuar fonde për projektet e tyre. Megjithatë, sipas Sierra-s, gjithçka tregon se Epstein ishte më i prirur të mbështeste zëra që synonin diskreditimin e fenomeneve të tilla në sytë e opinionit publik.
“Anonte nga mohuesit. Kishte interes për të diskredituar këto çështje në sytë e shoqërisë”, u shpreh Sierra në transmetim.






