Komuniteti i minoritetit grek në Himarë, “OMONIA,” ka reaguar ndaj një deklarate të kandidatit socialist për bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo, dhe deputetit të PS-së, Vullnet Sinaj. Në reagimin e OMONIA-s, thuhet se Sinaj ka bërë një deklaratë ofenduese dhe ekstreme, duke thënë se në Labëri nuk mund të marrë vota një “organizatë shoviniste, nacionaliste dhe ekstremiste,” duke nënkuptuar OMONIA-n. Ata theksojnë se Sinaj është ai deputet që në zgjedhjet e 2023 hapi në mënyrë të paligjshme një zyrë ku premtonte regjistrimin e pronave dhe banesave në këmbim të votës.
Sipas minoritetit grek, thirrjet e socialistëve për votuesit në Himarë në vitin 2023 dhe sot janë të kundërta nga njëra-tjetra, edhe pse vinin nga i njëjti kamp politik. OMONIA thekson se kandidati Goro në vitin 2023 kërkonte që të mos ofendoheshin votuesit me kombësi greke në Himarë, ndryshe nga qëndrimet e sotme të Tavos, i cili paraqitet si “grek te grekët dhe shqiptar te shqiptarët.” Ata besojnë se caktimi i Tavos si kandidat ka për qëllim prishjen e harmonisë mes komunitetit grek dhe atij shqiptar në Himarë, por nuk do të lejojnë që ai të mashtrojë banorët e Himarës.
Reagimi i Bashkimit Demokratik të Minoritetit Etnik Grek “OMONIA”:
“Gjuha jonë është greke, zoti Tavo.
Pak ditë pas deklaratës së ish kryeplakut të Vranishtit për zhdukjen e gjuhës greke nga Bashkia e Himarës pas fitores së Vangjel Tavos dhe në të njëjtën ditë që Tavo bëri deklaratën e vet sqaruese, deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, bëri një deklaratë akoma më ekstreme dhe ofenduese. Deputeti, midis të tjerash, përmendi se nuk mundet që në Labëri të marrë vota një organizatë shoviniste, nacionaliste dhe ekstremiste, duke pasur parasysh OMONIA-n, organizatën që për mbi tre dekada, me korrektësi dhe devotshmëri përfaqëson grekët e Shqipërisë.
Zoti Sinaj është i njëjti deputet që në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2023, në paligjshmëri totale, kishte hapur zyrë në Himarë ku premtonte votuesve regjistrimin e trojeve dhe të shtëpive në zyrën e regjistrimit të pasurive. Edhe atëherë pati thënë se nuk mundet t’i shkojë asnjë votë OMONIA-s, por jo me argumentin e papranueshëm të shprehur së fundi, thjesht u përgjërohej votuesve të mos votonin OMONIA-n, sepse nuk kishte si të justifikohej te zoti Rama. Nga këto dy deklarata duket qartazi agonia e të dy kuadrove të Partisë Socialiste për të fituar me çdo kusht zgjedhjet në Himarë.
Pyetja mbetet e njëjtë: Pse në vitin 2023 deklarimet e tyre ishin më të kujdesshme se sot? Përgjigja është se kandidati Goro në vitin 2023, edhe pse nuk e deklaronte origjinën e tij greke, u kishte dhënë udhëzime të qarta bashkëpunëtorëve dhe përkrahësve të tij të ishin të kujdesshëm që të mos fyenin votuesit me kombësi greke të Bashkisë, një gjë që duket qartazi se nuk e bën sot “greku” Tavo. Ky fakt nxjerr në pah ekzaktësisht problemin, qëndrimin evaziv të kandidatit aktual të Ramës sot, duke u prezantuar si grek fanatik te grekët dhe si shqiptar te shqiptarët.
Nëse dikush do të lexonte me vëmendje deklaratën e distancimit të Tavos, do të vërente si më poshtë:
Së pari, deklarata është e shkruar në gjuhën shqipe dhe u përkthye në variantin Google në greqisht.
Së dyti, deklarata sqaruese i lë të gjitha të pasqaruara, përmend në mënyrë karakteristike: “Unë jam ai që jam dhe himariotët flasin gjuhën e tyre.”
E mirëkuptojmë plotësisht vështirësinë e zotit Tavo për të justifikuar drejtimin e papranueshëm dhe tragjik në të gjitha nivelet për mbi 13 vjet të partisë që vendosi të përfaqësojë dhe t’i bëjë shpëlarje në sytë e opinionit publik grek, por jemi të vendosur të mos e lejojmë të mashtrojë banorët e Himarës, qofshin grekë apo shqiptarë.
Zoti përfaqësues i hajdutëve të pronës së himariotëve, i keqpërdoruesve të pasurisë publike dhe të komuniteteve fetare, i atyre që shpërdoruan paranë publike dhe taksat e qytetarëve të Himarës, ndalon më në fund së qeni edhe përfaqësues i qarqeve më të errëta dhe më nacionaliste në Shqipëri që dëshirojnë të zhdukin helenizmin nga Himara.
Në Bashkinë e sotme të Himarës jetojnë në harmoni të plotë dy komunitete, grekë dhe shqiptarë. Marrëdhëniet e të dy komuniteteve janë harmonike, janë farkëtuar në shekuj dhe nuk kanë nevojën e asnjë të huaji që t’i normalizojë. Prandaj mos luaj rolin e mbrojtësit vullnetar të këtyre marrëdhënieve. Jep dorëheqje sa je në kohë.
Himara nuk ka nevojë për ndërmjetës, por për kryetar bashkie, për të bërë punë dhe për të zbatuar programin që është supervotuar në vitin 2023. Ka nevojë për një skuadër të re dhe jo për ata që vidhnin dhe e fyenin pa skrupuj për mbi një dekadë.
Meqenëse i referohesh përvojës në politikë, na thuaj cili është eksaktësisht suksesi yt i madh? Çfarë ke arritur të bësh në Dropull? A është apo nuk është krahina ku je zgjedhur në mënyrë të përsëritur deputet më e braktisura por edhe më e varfëruar e Shqipërisë?
Është e vërtetë se je zgjedhur deputet disa herë, por gjithnjë si kandidat i qeverisë ose në aleancë me shtetin. Në të vetmin rast që ishe kandidat opozitar, dhe denoncove aleatët e tu të sotëm se të vodhën? Ata që të caktuan kandidat në Bashkinë Himarë e bënë për të vetmen aftësi tënde: je diakronikisht përçarësi dhe sabotuesi më i madh i helenizmit të Shqipërisë nga të gjithë politikanët e Minoritetit Etnik Grek. Bashkëpunëtorët e tu të ngushtë të vonët duan që ta fshehin, gëzimi nuk i lë.
Nuk e njeh Himarën dhe duket qartazi nga të thënat e tua ku bën fjalë për “një farë” gjuhe dhe se “himariotët janë ata që janë.” Derisa ta mësosh Himarën, do të të ketë mbaruar shërbimi. Nëse do ta njihje, do të dije se një pjesë e madhe e qytetarëve të Bashkisë janë grekë dhe se gjuha e tyre është greke.”