Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Në një konferencë për media, Osmani deklaroi se vendimi vjen pasi përfaqësuesit e popullit nuk arritën të përmbushin detyrimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, tha Osmani.
Ajo theksoi se, në përputhje me kompetencat kushtetuese, ka firmosur dekretin për shpërndarjen e parlamentit.
“Prandaj sot, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, u shpreh presidentja.
Duke folur për dështimin e përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit mbrëmjen e 5 marsit, Osmani tha se kjo nuk ishte një situatë e rastësishme, por një kalkulim i menduar politik.
“Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit: Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial. Ajo është kontrata jonë e përbashkët si shtet”, deklaroi ajo.
Sipas presidentes, Kushtetuta e përcakton qartë se afati për zgjedhjen e presidentit përfundoi në mesnatën e së enjtes, ndërsa deputetët kishin në dispozicion 23 ditë për të përmbushur këtë detyrim.
“Deputetët kanë pasur në dispozicion 23 ditë për ta kryer këtë detyrë kushtetuese. Ata vendosën të mos e bëjnë këtë”, theksoi Osmani.






