Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka marrë fjalën në “foltoren e qytetarëve”, duke ngritur zërin për të drejtat e minatorëve të Bulqizës. Ajo i ka përshkruar minatorët si simbol i sakrificës shqiptare dhe ka theksuar se kërkojnë drejtësi, jo lëmoshë.
“Qeveria u ka kthyer shpinën atyre që sakrifikohen në thellësi të tokës. Ata që kanë mbajtur mbi supe pasuritë e këtij vendi meritojnë respekt dhe mbështetje. Ky nuk është më shteti i qytetarëve, por shteti i pushtetarëve,” u shpreh Hoti, duke kritikuar politikat që sipas saj injorojnë nevojat e punëtorëve të minierave.
Fjala e deputetes vjen ndërsa minatorët e Bulqizës vijojnë të përballen me kushte të vështira pune dhe sfida ekonomike, duke kërkuar ndërhyrje dhe mbështetje nga autoritetet qendrore.






