9.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Dervishaj ju drejtohet bizneseve : Një efektiv është qëlluar me thikë, 19 të plagosur, kini kiujdes mos shisni pije alkoolike në shishe dhe gota qelqi

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj ka bërë bilancin e personave që janë plagosur si pasojë e përplasjeve të tifozëve.

Në një deklaratë për mediat, Dervishaj tha se në total janë plagosur 19 efektivë policie, një prej të cilëve është qëlluar me thikë. Të tjerët kanë marrë dëme nga goditje me sende të forta. Dervishaj shtoi më tej se gjithashtu kanë mbetur të plagosur edhe 10 tifozë, 5 shqiptarë, 3 italianë dhe 2 holandezë. Dervishaj i bëri thirrje bizneseve mos e tregtojnë alkoolin me shishe qelqi pasi përbëjnë rrezik të shtuar për shëndetin dhe jetën e qytetarëve në rast përfshirje të konflikteve fizike.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaratë për mediat:

“Policia e Shtetit informon opinionin publik se gjatë mbrëmjes së datës 24 maj 2022, në disa zona të kryeqytetit, ka patur cenime të rendit publik midis grupeve të tifozëve që kanë ardhur për të mbështetur ekipet e tyre në Finalen e UEFA Conference League, midis ekipeve të Romës dhe Feyenoordit.

Sikurse kemi bërë me dije vazhdimisht këto ditë, në disa dalje publike të drejtuesve të Policisë së Shtetit, përsa i përket sigurisë, Policia ka marrë masa të plota jo vetëm për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje, por edhe për të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen në vendin tonë, duke filluar nga Pikat e Kalimit Kufitar, në rrugëkalimet e ekipeve, të sportdashësve të tyre apo edhe për garantimin e rendit publik për qytetarët e tjerë në Tiranë, të cilët nuk kanë lidhje me këtë aktivitet sportiv etj., si dhe për garantimin e rendit e sigurisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, fillimisht një grup tifozësh të njërës nga skuadrat finaliste, kanë lëvizur në drejtim të stadiumit “Air Albania”, me qëllim për të tentuar një përplasje me një grup tifozësh të skuadrës tjetër finaliste.

Shërbimet e Policisë së Rendit Publik kanë tentuar të ndalojnë grupin e tifozëve të skuadrës Feyenoord, në rrugën “Mustafa Matohiti”, por ata në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë, me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Një grup tjetër i tifozëve të skuadrës së Romës kanë lëvizur në drejtim të urës pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe më pas edhe në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ku edhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë, duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave finaliste, janë plagosur 19 punonjës të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, njëri prej të cilëve është plagosur me armë të ftohtë (thikë), të cilëve u është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore, si dhe janë dëmtuar edhe katër automjete shërbimi të Policisë së Shtetit.

Përsa më sipër, në qendrat spitalore, gjatës natës së shkuar janë drejtuar për ndihmë mjekësore 10 shtetas, nga të cilët 5 shtetas shqiptarë, 3 italianë dhe 2 holandezë, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar.

Shërbimet e Policisë së Shtetit, në zbatim të kompetencave ligjore dhe bazuar në procedurat standarde të punës, fillimisht u kanë bërë thirrje grupimeve të tifozëve për të ndërprerë prishjen e rendit publik, përdorimin e dhunës dhe goditjen e punonjësve të Policisë të cilët kanë qenë në detyrë, duke i paralajmëruar se do të zbatohej ligji.

Në raport me sjelljen dhe kundërveprimin e grupimeve të tifozëve nga strukturat e Policisë së Shtetit, është ndërhyrë në mënyrë të përshkallëzuar dhe proporcionale, duke bërë të mundur shpërndarjen e tyre.

Janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Shtetit, 60 shtetas tifozë problematikë nga të dy skuadrat, nga të cilët 48 shtetas italianë dhe 12 shtetas holandezë, për përfshirje në aktet e dhunshme dhe kundërshtimin e punonjësve të Policisë. Atyre u janë sekustruar leva, doreza hekuri, shkopinj druri, gurë, thika, lëndë piroteknike etj, për të cilët, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po kryhen veprimet procedurale penale dhe hetimi do të vazhdojë në vijim.

Gjithashtu, sot në orët e para të mëngjesit janë “deportuar” nëpërmjet Portit të Durrësit, 80 tifozë huliganë italianë, për të cilët përveç largimit të tyre, do të ndiqen procedurat përkatëse me Federatën Italiane të Futbollit, për përjashtimin nga ambientet sportive dhe do të merren masa të tjera në zbatim të ligjit.

Policia e Shtetit vlerëson sjelljen dhe reagimin e qytetarëve të Tiranës gjatë natës së djeshme, për të shmangur frekuentimin e këtyre zonave ku janë kryer veprime të dhunshme nga tifozët, veprime të cilat nuk manifestojnë asnjë lidhje me sportin.

Policia e Shtetit vlerëson maksimalisht edhe qasjen e ditës së sotme, ku qytetarët shqiptarë kanë vlerësuar maksimalisht dhe seriozisht thirrjen e autoriteteve shqiptare për të kufizuar lëvizjet në zonën ku janë të akomoduar tifozët, pranë stadiumit dhe për të mos përdorur automjetet në Tiranë.

Do t’u mbeteshim mirënjohës që kjo mënyrë sjellje të vazhdonte përgjatë gjithë ditës së sotme, deri në përcjelljen e tifozëve pas ndeshjes.

Gjithashtu apelojmë për bizneset në Tiranë, që të mos tregtojnë pije alkoolike në shishe dhe gota qelqi, pasi përbëjnë rrezik të shtuar për shëndetin dhe jetën e qytetarëve në rast përfshirje të konflikteve fizike.

Nëpërmjet kësaj daljeje publike apelojmë dhe adresojmë një thirrje për tifozët italianë dhe holandezë, të cilëve do t’ua komunikojmë edhe nëpërmjet kanaleve zyrtare, që të sillen dhe veprojnë si qytetarë europianë, në qytet dhe në stadium, të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar dhe të mos konfrontohen me punonjësit e Policisë, përndryshe ligji do të zbatohet me rigorozitet.

Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” në bazë të nenit 235, është vepër penale dhe kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me me burgim gjer në pesë vjet; “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në bazë të nenit 235, është vepër penale me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet. Po kështu konsiderohen vepra penale edhe “Goditjet për shkak të detyrës”, si dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, të cilat dënohen me gjobë apo me burgim.

Policia e Shtetit është në bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët e tjerë vendas, me autoritetet e organizimit të këtij aktiviteti ndërkombëtar sportiv, me kolegët italiane dhe holandezë dhe është e vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë, për të parandaluar shkatërrimin e pronës, si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv që do të zhvillohet sot në orën 21:00, në stadiumin “Air Albania”, për të cilën ka planifikuar dhe po zbaton të gjitha masat që parashikon ligji.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve të Tiranës që të mos provokohen nga individë apo grupe tifozësh të cilët mund të jenë nën efektin e alkoolit dhe të njoftojnë menjëherë në 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo tentativë të prishjes së rendit dhe sigurisë.

Policia e Shtetit është e vendosur dhe e motivuar për të garantuar një ditë të qetë dhe festive në Tiranë, në mënyrë që të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj të shijojnë dhe të gëzojnë një ndeshje ndërkombëtare futbolli, me tërësinë e përmasave që ajo përcjell në vendin tonë dhe në Evropë”, tha Albert Dervishaj.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT