17.5 C
Tiranë
Monday, September 16, 2024
spot_img

Dëshmia e kunatës së Alma Arrazit: Detaje të reja për tragjedinë në Shkodër

Valentina Arrazi, kunata e Alma Arrazit, është personi i fundit që e takoi përpara se 39-vjeçarja t’i jepte fund jetës bashkë me tre fëmijët e mitur mbrëmjen e 2 majit në ujërat e lumit Buna në Shkodër. Kunata u thirr nga prokuroria e Shkodrës për të dëshmuar edhe një herë lidhur me kafen që konsumuan dhe bisedën e zhvilluar mes tyre. Valentina Arrazi, mes lotësh dhe në një gjendje të rënduar emocionale, ka rrëfyer se si rreth orës 17:30 së bashku me kunatën e saj dhe fëmijët kanë dalë nga shtëpia për të pirë një kafe, gjë që e praktikonin shpesh për shkak të marrëdhënies së mirë që kishin. Kunata ka treguar edhe fjalët e fundit të Almës, ndërsa ka sqaruar edhe momentin e ndarjes me të dhe telefonatën që bëri pasi shkëputet nga 39-vjeçarja në mjediset e jashtme të lokalit, moment që është komentuar shumë.

“Dolëm për të pirë një kafe së bashku me Almën dhe fëmijët tanë tek një lokal në pedonalen e molos në hyrje të qytetit të Shkodrës. Unë e kam dashur shumë Almën dhe edhe ajo mua, po ashtu edhe fëmijët kanë shkuar shumë mirë me njëri-tjetrin. Rrugës përpara se të mbërrinim, unë u ndala në një market për të blerë diçka dhe Alma më priti jashtë. Kur dola, Alma më tregoi se Erdgysi kishte kaluar me makinë së bashku me të dashurën e tij dhe se i kishte parë. Unë nuk e kam parë Erdgysin sepse isha në market, por Alma më tha se kishte kaluar. Kemi vijuar rrugën dhe u ulëm në kafe. Fëmijët po luanin dhe me Almën biseduam pak për marrëdhënien e saj me Erdgysin. Më pas vijuam edhe me biseda të tjera dhe rreth orës 20:10 ikëm nga aty. Alma më tha më përpara se do të vinte ta merrte i vëllai me taksi dhe se do të shkonte tek familja e saj në Durrës derisa të sqaroheshin me bashkëshortin e saj. Më tregoi se Erdgysi ishte në dijeni se do të ikte dhe u ndamë,” tha Valentina Arrazi.

Valentina tregon se kunata e saj ishte larguar edhe para afro një muaji te familja e saj për shkak të debateve me Erdgysin dhe nuk dyshoi kur ajo i tha se do ta merrte i vëllai. Fakti që Alma kishte qenë përpara një muaji tek familja dhe se ajo vetë kishte kërkuar të rikthehej është konfirmuar për prokurorinë edhe nga motra e 39-vjeçares, Genta Bushati.

Valentina Arrazi ka sqaruar edhe momentin kur ajo merr telefonin në dorë sapo ndahet nga kunata e saj. “Pasi Alma u largua, unë nxora telefonin dhe lajmërova bashkëshortin tim se nuk kisha internet dhe se do ikja për në shtëpi. Pasi i thashë se isha pa internet, vijova rrugën deri në shtëpi,” tha ajo. Kjo bisedë mes Valentinës dhe bashkëshortit të saj është verifikuar nga prokuroria dhe dëshmia rezulton e saktë, duke hedhur poshtë aludime të tjera.

Valentina tregon se pas afro dy orësh, pasi kanë komunikuar edhe me motrën e Almës, e cila ka konfirmuar se Alma nuk kishte shkuar në Durrës siç kishte deklaruar në kafe, e gjithë familja Arrazi ka dalë për ta kërkuar nëpër Shkodër se ku mund të ishte.

Erdgys Arrazi, bashkëshorti i 39-vjeçares që u mbyt në lumin Buna bashkë me tre fëmijët e saj, vijon të jetë në paraburgim me masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat dhënë nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër. 31-vjeçari është i dyshuar nga prokuroria për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes”, e cila dyshohet se ka ardhur nga veprimet dhe dhuna psikologjike e tij ndaj bashkëshortes. Motra e Alma Arrazit ka akuzuar bashkëshortin e saj për dhunë psikologjike që ka vijuar prej vitesh dhe së fundmi situata mes tyre është tensionuar edhe më shumë për shkak të një lidhje me një vajzë 17-vjeçare, e cila e ka pranuar marrëdhënien me Erdgysin pasi është marrë në pyetje. Erdgys Arrazi i ka mohuar këto akuza, ashtu si edhe familja Arrazi. Prokuroria është duke pritur edhe përgjigjet e ekspertizës për bisedat telefonike mes 31-vjeçarit dhe Alma Arrazit dhe mesazhet që mund të kenë shkëmbyer gjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa priten edhe përgjigjet nga ekspertët toksikologjik për të vërtetuar nëse 39-vjeçarja dhe fëmijët e saj mund të kenë konsumuar medikamente të ndryshme në momentet e fundit. Hetimet e thelluara vijojnë për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT