Zbardhen detaje tronditëse nga ngjarja e rëndë në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja. Burime zyrtare konfirmojnë se autori 30-vjeçar, Elvis Shkambi, hyri në sallën e gjyqit me armë zjarri, pa u pikasur nga asnjë kontroll sigurie.
Sipas informacioneve të para, detektori metalik i vendosur në hyrje të gjykatës ishte jashtë funksionit prej më shumë se një muaji. Kontrolli i vizitorëve kryhej vetëm fizikisht nga dy oficerë sigurie, çka duket se i ka mundësuar autorit të fuste armën brenda pa u zbuluar.
Ky detaj rëndon edhe më shumë situatën, pasi mungesa e një sistemi funksional sigurie në një institucion të tillë shtetëror ka rezultuar fatale.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë momentet para krimit dhe të zbulojnë si u shmang kontrolli fizik dhe nëse ka pasur neglizhencë nga ana e personelit të sigurisë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik dhe ka ngritur pyetje serioze mbi masat e sigurisë në institucionet gjyqësore të vendit.






