Hunter Biden, djali i Presidentit Joe Biden, u paraqit të premten në një gjykatë në Delaware për një seancë përfundimtare përpara fillimit të procesit gjyqësor ndaj tij, ku akuzohet për armëmbajtje të paligjshme. Kjo ngjarje vjen ndërsa Presidenti Biden po zhvillon fushatë elektorale për t’u rizgjedhur.
Hunter Biden akuzohet se ka gënjyer në formularin e blerjes së një arme zjarri në tetor 2018, duke mohuar përdorimin e drogës, ndërkohë që e ka pranuar se në atë periudhë ishte nën varësinë e kokainës. Avokatët mbrojtës të tij pohojnë se ai nuk ka shkelur ligjin dhe se çështja është e motivuar politikisht.
Dokumentet e gjykatës tregojnë se ka mosmarrëveshje mes palëve mbi provat, përfshirë të dhënat nga një laptop që dyshohet se Hunter Biden e kishte lënë për riparim në një dyqan në Delaware. Ndërsa avokatët mbrojtës vënë në dyshim vërtetësinë e të dhënave, prokurorët pretendojnë se nuk ka prova që tregojnë komprometim të të dhënave dhe se debati për këtë çështje do të ishte humbje kohe.
Laptopi ka qenë burim polemikash, sidomos nga republikanët, të cilët kanë shpërndarë të dhëna personale nga ai për vite me radhë. Prokurorët planifikojnë të paraqesin për jurinë pjesë nga kujtimet e Hunter Bidenit të vitit 2021, titulluar “Gjëra të bukura”, ku ai përshkruan betejën e tij me varësinë nga droga pas vdekjes së vëllait të tij, Beau Biden, nga kanceri i trurit.
Seanca e sotme pritet të jetë e fundit para fillimit të procesit gjyqësor me përzgjedhjen e jurisë më 3 qershor. Hunter Biden përballet gjithashtu me akuza federale në Los Anxhelos lidhur me taksat dhe do të gjykohet për këtë çështje në shtator, ku akuzohet për mos pagesë të të paktën 1.4 milionë dollarëve në taksa gjatë katër viteve të fundit, periudhë gjatë së cilës ai pranon se ka pasur një mënyrë jetese ekstravagante ndërsa luftonte me varësinë ndaj drogës.
Avokatët e Hunter Biden kanë kërkuar, pa sukses, që aktpaditë ndaj tij të rrëzohen, duke argumentuar se prokurorët janë përballur me presion politik për të ngritur akuza kundër tij. Marrëveshja fillestare për pranimin e fajësisë dështoi pas dyshimeve të ngritura nga një gjykatës, duke çuar në ngritjen e akuzave zyrtare ndaj Hunter Biden.
Kjo çështje ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe ka ndikuar në debatin politik, ndërsa Presidenti Biden përpiqet të sigurojë një mandat të dytë dhe ish-presidenti Donald Trump përballet me probleme të tij ligjore, përfshirë katër çështje penale.