Policia e Durrësit ka arrestuar 29-vjeçarin Arbër Tivari, i cili, pavarësisht se ishte në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, dyshohet se ka kryer disa vjedhje në qytetin bregdetar.
Tivari njihet edhe për aksidentin e rëndë të ndodhur tre vite më parë në autostradën Tiranë-Durrës, ku humbën jetën dy vajza të reja, Silva Gjergji, 26 vjeçe, dhe Roxhesa Klironomi, 24 vjeçe. Ai ka precedent të mëparshëm për armëmbajtje pa leje.
Sipas njoftimit të policisë, Tivari së bashku me dy bashkëpunëtorë, njëri prej të cilëve është ndaluar dhe tjetri ende i paidentifikuar, më 18 nëntor 2025 kryen një vjedhje në një lokal në lagjen nr. 18 të Durrësit, duke marrë sende me vlerë rreth 3 milionë lekë të vjetra.
Gjatë operacionit, specialistët e Hetimit të Krimit sekuestruan automjetin dhe rrobat që përdornin autorët për të maskuar identitetin gjatë vjedhjes. Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon dokumentimi i të gjitha vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga Tivari dhe grupi i tij.
Tivari dhe bashkëpunëtori i ndaluar, M. Ç., 30 vjeç, do të përballen me akuzat për “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Materialet janë dërguar pranë Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.






