SARANDË – Policia e Sarandës ka finalizuar operacionin e koduar “Kamuflimi”, duke arrestuar dy persona, Renato Makri dhe Ilir Prenga, të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike.
Sipas burimeve zyrtare, dy të arrestuarit kishin përshtatur ambientet e një lavazhi automjetesh në rrugën “Idriz Alidhima” si bazë për shpërndarjen e drogës.
Gjatë kontrollit, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan rreth 1 kg cannabis sativa, si dhe materiale të tjera që shërbenin për ndarjen dhe paketimin e saj, përfshirë 2 targa automjetesh, 1 targë motomjeti dhe letër alumini.
Policia theksoi se operacioni është rezultat i punës intensive hetimore dhe operative, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve në qytet.






