Qeveria miratoi këtë jave një vendim që përcakton qartësisht mënyrat sesi do të përzgjidhen, kontraktohen, format dhe kushtet e kontratës për ndërtimin e banesave në zonat e zhvilluara me qëllim strehimin. Ligji për strehimin social i miratuar në vitin 2018 parasheh si një nga mënyrat për të rritur fondin e banesave për strehim edhe përmes lidhjes së kontratave të partneritetit publik privat (PPP) mes njësive të vetëqeverisjes vendore dhe kompanive private në zona të zhvilluara me qëllim strehimin.
Vendimi i fundit i qeverisë përcakton pikërisht këtë aspekt duke u ndalur së pari në hapin që duhet të hedhin njësitë e vetëqeverisjes vendore. Këto të fundit duhet të vlerësojnë nevojat e tyre për strehim në njërën anë dhe tokën që kanë në dispozion për të zhvilluar projekte të kësaj natyre në anën tjetër.
“Njësitë e vetëqeverisjes vendore analizojnë paraprakisht dhe bëjnë planifikimin e zonave që do të zhvillohen për strehim në territorin e tyre, mbështetur në planin e detajuar vendor të zhvillimit urban të miratuar ose, në mungesë të tij, në planin e përgjithshëm vendor, në nevojat për ndërtim banesash në përgjithësi dhe ato sociale në veçanti, si edhe në fondet e përcaktuara për të përballuar zhvillimin e zonës me të ardhurat e veta. Me miratimin e planit të detajuar vendor ose, në mungesë të tij, planin e përgjithshëm vendor, struktura përgjegjëse në njësinë e vetëqeverisjes vendore identifikon pronësinë e tokës në zonën që do të zhvillohet me qëllim strehimi” përcakton vendimi.
Njësitë gjithashtu duhet që të ngrejë një grup pune që do të kryejë studimin paraprak për hartimin e termave të referencës të projekteve për zhvillimin e zonës/ave me qëllim strehimin. Në përbërje të këtij grupi pune janë ekspertë nga strukturat e njësisë së vetëqeverisjes vendore që janë përgjegjëse për strehimin, buxhetin, urbanistikën, pronat.
Çfarë thotë pika 2 e nenit 52 në shkronjat a dhe c që përmend vendimi?
Por çfarë parashikon pika 2 në shkronjat a dhe c të nenit 52 të ligjit për strehimin social? Nenin 52 në tërësi lidhet me partneritetin publik-privat për ndërtime në zona të zhvilluara me qëllim strehimin. Pika dy me shkronjat e përmendura në vendim nënvizon se “marrëveshja për ndërtimin e banesave, që kryhet nga subjekte private, nëpërmjet partneritetit publik-privat, bazohet në një nga format e mëposhtme:
financimi i ndërtimit nga subjekti privat në truallin ose truallin e pajisur me infrastrukturë në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në këmbim të përfitimit nga njësia vendore të një përqindjeje të caktuar sipërfaqe ndërtimi, të përshtatur në apartamente, sipas normave të strehimit, si kundërvlerë e vlerës së truallit të pajisur me infrastrukturë.
c) bashkëfinancim i ndërtimit nga subjekti privat dhe njësia e vetëqeverisjes vendore nga buxheti i vet dhe/ose me mbështetje të buxhetit të shtetit, përkundrejt përfitimit të një numri banesash sociale dhe ose me kosto të ulët Procedura e përzgjedhjes së subjektit privat në rastin e shkëmbimit të truallit me garë
Vendimi i qeverisë përcakton procedura në rastin e financimit të banesave nga subjekti privat në truallin në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore, me qëllim shkëmbimin e vlerës së truallit me sipërfaqe ndërtimi, duke sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 52, të ligjit nr.22/2018, kryhet vetëm me konkurrim.
Kjo bëhet për : a) ndërtimin e objektit sipas projektit të parapërgatitur nga njësia e vetëqeverisjes vendore ose; b) projektin e ndërtimit/zhvillimit të përgatitur nga subjekti privat së bashku me ndërtimin e objektit.
Procedura konkurruese synon që trualli në pronësinë e njësisë së vetëqeverisjes vendore të shkëmbehet me sipërfaqe ndërtimore sipas vlerës më të lartë të shkëmbimit, kur ndërtimi realizohet me financim të subjekteve private.
Thirrja për konkurrim botohet në Buletinin e Njoftimeve Publike, në ëebsite-in e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe përmban, si më poshtë vijon:
a) Qëllimin e thirrjes, ku jepet përshkrimi i ndërtimit dhe projektit që synohet të realizohet, b) Objektin e kontratës dhe kohëzgjatjen e saj; c) Kërkesat për kualifikim në lidhje me kapacitetet administrativo-ligjore, teknike dhe ekonomike-financiare; ç) Specifikimet lidhur me projektin në rastin kur është parapërgatitur nga njësia e vetëqeverisjes vendore ose kur kërkohet të përgatitet nga subjekti privat;
d) Vendndodhjen e zonës ku do të realizohet investimi dhe kushtet zhvillimore, sipas kuptimit të legjislacionit mbi planifikimin dhe zhvillimin e territorit; dh) Përqindjen e llogaritur të sipërfaqes së ndërtimit që i takon njësisë së vetëqeverisjes vendore në këmbim të truallit në pronësi të saj, llogaritur sipas shkronjës “ç”, të pikës 4, të kreut I, të këtij vendimi, e cila përdoret si nivel ‘dysheme’ në vlerësimin e ofertave; e) Formularin e ofertës, i cili plotësohet nga kandidatët/ofertuesit dhe përmban konfirmimin e kandidatit/ofertuesit se ai/ajo e ka pranuar përmbajtjen e dokumenteve të procedurës konkurruese dhe deklarimin se çdo e dhënë e rreme përbën shkak ligjor për skualifikim të kandidatit/ofertuesit; ë) Vendin, datën dhe orën për dorëzimin e ofertave dhe hapjen e tyre;
f) Metodologjinë e vlerësimit për përzgjedhjen e ofertës më të mirë, si dhe kriteret e shpalljes së fituesit; g) Informacionin për sa i përket procedurës së rishikimit dhe dorëzimit të ankesave. Pas përfundimit të afatit të dorëzimit të ofertave, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore nxjerr urdhrin për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e zhvilluesit, ku përcaktohen:
a) njësia përgjegjëse për organizimin e procedurave konkurruese dhe përgatitjen e dokumentacionit, që përbëhet nga jo më pak se 3 (tre) persona me të paktën 1 (një) jurist në përbërjen e saj; dhe b) Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (Komisioni), i cili përbëhet nga kryetari dhe katër anëtarë: një inxhinier/arkitekt, një ekonomist, një jurist, dhe një specialist nga struktura përgjegjëse për strehimin. Anëtarë të Komisionit caktohen persona të cilët nuk ndodhen në kushtet e konfliktit të interesit. Kryetar i Komisionit është nënkryetari i bashkisë” thuhet në vendim.
/Monitor