Kryeministri Edi Rama hapi takimin me emigrantët shqiptarë në Selanik, ku prezantoi 8 mësuesit e parë që do të ndihmojnë fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën amtare. Ai theksoi se Ministria e Arsimit ka nisur bashkëpunimin për t’i punësuar këta mësues në mënyrë që të lidhin kontrata për mësimdhënien e shqipes për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi.
“Motra dhe vëllezër shqiptarë të Greqisë, mirë se ju gjej këtë herë në Selanik. Me lejoni tju prezantoj disa nga ne, që sic e premtova pas takimit të paharrueshëm të Athinës do të na ndihmojnë për të qëndruar më pranë fëmijëve tuaj për mësimin e gjuhës shqipe. Janë këtu 8 nga 50 mësuesit e parë të gjuhës shqipe me të cilët ministria e arsimit do lidhë kontratë për ti mësuar gjuhën shqipe. Siç mund ta merrni me mend janë 8 gra, që dua ti ftoj në skenë”, tha kryeministri Rama.
Rama komentoi gjithashtu për protestën kundër ardhjes së tij, organizuar nga disa individë që ai i quajti “fantazma të gjalla të së shkuarës,” të cilët përdornin fletushka dhe parulla që lidhen me termin “Vorio Epirit.” Ai deklaroi se ky term është “i vdekur” dhe shprehu keqardhje për këto veprime, duke theksuar se ato nuk ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas tij, Greqia është një partner i rëndësishëm dhe pjesë e trekëndëshit strategjik të politikës së jashtme të Shqipërisë, së bashku me Italinë dhe Turqinë.
“Vorio Epiri është një term i vdekur,” deklaroi Rama. “Këto nuk janë arsye që të ushqejmë ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë. Greqia është një partner i pazëvendësueshëm që, bashkë me Italinë dhe Turqinë, përbën një trekëndësh strategjik të politikës sonë të jashtme.”
““Diku këtu rreth e rrotull një grup fantazmash të gjalla të së shkuarës janë angazhuar në një protestë kundër ardhjes time këtu me fletushka e parulla qesharake që frymëzuara nga i ashtuquajturi Vorio Epir, ata kanë bërë këto ditë në adresën time edhe kërcënime që mua më shkaktojnë vetëm keqardhje siç me shkakton keqardhje edhe çdo spazëm e kujto në Shqipëri që ushqen ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë mike. Vorio Epiri është një term i vdekur me kohë e me vakt. Këto nuk janë arsye që të ushqejmë ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë. Greqia është një partner i pazëvendësueshëm që bashkë me Italinë dhe Turqinë përbën një trekëndësh strategjik të politikës sonë të jashtme.
Për shqiptarët e Greqisë, ajo është shtëpia juaj ku jeni qytetarë të barabartë të Europës njësoj si grekët, pa asnjë dallim. Ku peripecitë e jashtëzakonshme tuaja për integrimin janë kujtime e histori, të trishta sa të duash, por edhe një histori krenarie e mishëruar në historinë heroike të ambicies të prindërve që erdhën këtu me fëmijët në krahë dhe luftuan për vendin tuaj në këtë tokë të Evropës”, tha Rama..