Një efektiv i forcave speciale “Shqiponja” ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni policor për kapjen e një personi shumë të kërkuar në qytetin e Dibrës.
Sipas burimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur në momentin kur forcat e policisë kanë ndërhyrë në një banesë trekatëshe për të arrestuar të dyshuarin. Gjatë operacionit, efektivi Gentjan Meda, 40 vjeç, dyshohet se ka rënë nga një lartësi, por nuk përjashtohet as mundësia që ai të jetë plagosur me armë zjarri.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se janë dëgjuar krisma armësh, ndërsa rrethanat e plota të incidentit mbeten ende të paqarta dhe pritet të sqarohen nga hetimet zyrtare.
Efektivi i plagosur ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Peshkopisë dhe më pas është transportuar me helikopter drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor.
Në vendngjarje ndodhen forca të shumta policie dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.






