Për më shumë se pesë javë, Turqia po përballet me pasojat e një tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.8 në juglindje të vendit. Por në qytetin më të madh dhe më të populluar, presioni po rritet mbi autoritetet për t’u përgatitur për mundësinë e një fatkeqësie tjetër natyrore me përmasa të paimagjinueshme.
“Perspektiva për Stambollin nuk është e mirë. Nuk është aspak e mirë”, thotë profesor Celal Sengor, një nga gjeoshkencëtarët më të shquar të Turqisë.
“Nëse një tërmet i madh nuk do të ndodhë në njëzet vitet e ardhshme në Stamboll, atëherë të gjithë do të habiteshim shumë”, thotë profesori i Universitetit Teknik të Stambollit për CNN. “Është vetëm një probabilitet, por probabiliteti është i lartë.”