Pas shpërndarjes së lajmeve që e lidhën me një kërkim ndërkombëtar nga autoritetet australiane, aktori Elvis Pupa ka dalë publikisht për të sqaruar situatën. Përmes një deklarate në rrjetet sociale, ai mohon kategorikisht akuzat për arratisje apo fshehje.
Pupa sqaron se prej më shumë se një muaji ndodhet në Tiranë, ku po zhvillon aktivitetin e tij profesional, të planifikuar që më parë, si në Shqipëri ashtu edhe në vende të tjera të Europës. Ai e cilëson si manipulim të pastër çdo përpjekje për të paraqitur situatën ndryshe, duke theksuar se lajmet e përhapura janë të shtrembëruara dhe me prirje sensacionale.
Në lidhje me bashkëshorten e tij, Belina Pupa, aktori konfirmon se ajo është e lirë dhe po vijon normalisht punën e saj, pavarësisht se ka qenë pjesë e një seance gjyqësore në Australi. Ai shpreh besimin se drejtësia do të zbardhë gjithçka në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.







