Me përjashtim të Enkelejd Alibeajt që tha se nuk do të jetë i pranishëm në protestën e thirrur në 7 Korrik nga Sali Berisha, shumica e deputetëve demokratë janë shprehur pro lëvizjes, pavarësisht qejfmbetjeve që mund të kenë me ish-kryeministrin.
Disa nga deputetët e etiketuar si të “grupit Alibeaj”, shprehen se do të marrin pjesë në protestë.
Deputetja Dhurata Çupi pohoi se do të jetë në protestë, ashtu sikundër Agron Gjekmarkaj i cili pohoi se nëse do të jetë në Shqipëri do të marrë pjesë.
“Po do të marr pjesë”, tha shkurtimisht Çupi.
Deputeti tjetër Xhelal Mziu deklaroi se 7 korriku është betejë për gjithë qytetarët shqiptarë, duke pohuar se do të jetë pjesë e protestës.
“Nuk është se kemi dalë në terren, por e rëndësishme është që në 7 korrik është një betejë për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm për demokratët. Nuk besoj se ka një situatë më kritike në familjet shqiptare se sa sot, kemi çmime rekord në botë dhe shumë herë më të larta se vendet e rajonit.
Kemi papunësinë më të madhe dhe korrupsionin më galopant që mund të ketë një shtet dhe pak ditë më parë zumë dhe vendin e 7-të në botë për sa I përket hashashit. Nuk është një protestë e Berishës, është një protestë e demokratëve kundër kësaj qeveria e cila nuk duhet të ishte në pushtet për shkak të vjedhjes së votave më 25 prill. Edhe ata socialist të ndershëm që e kanë votuar janë bërë pishman për shkak të situatës ekonomike”, tha Mziu.
Flutura Açka deklaroi se nuk do të jetë në Shqipëri për probleme personale, por shtoi se gjithë kohës ka qenë pjesë e protestave dhe se protestat i ka bërë me fjalën e saj.
“Unë vetë nuk jam e pranishme fizikisht, protestat e mija i kam bërë me fjalë çdo ditë, ftoj të gjithë qytetarët e lirë që nëse duan të bashkohen”, tha Açka.
Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Hoxha, ish-sekretar organizativ në PD gjatë kohës kur drejtohej nga Lulzim Basha ka deklaruar se uron që shqiptarët të protestojnë kundër rritjes së çmimeve ashtu si protestuan pas masakrës së 25 Prillit.
“Uroj që shqiptarët të protestojnë si pas masakrës së zgjedhjeve të 25 Prillit në të gjithë qarkun e Kukësit. Ky është një rast që Prptestophet nga çdo shqiptar jo vetëm nga ata që jetojnë këtu por edhe ata që janë larg dhe që duan që Shqipëria të ndryshojë.
Strukturat e PD janë gjthmonë të bashkuara. Dhe ne e kemi për detyrë të bashkohemi edhe me ata që i bashkohen forcës më të madhe opozitare, Partisë Demokratike. Në këtë kundërt kot hyjmë në këtë parlament”, deklaroi ai.
Arbi Agalliut të cilët i shënuan emrin në listë, për të organizuar bazën, tha se askush nuk e kishte konsultuar për këtë vendim.
”Unë personalisht apo rrjeti i demokratëve të ndershëm do të refuzojmë korrupsionin dhe cdo akt të ndërmarrë nga kjo qeveri”, tha Agalliu.
Protestës pa asnjë hezitim tha se do ti bashkohej edhe deputetja Grida Duma, e cila u shpreh për mediat se pjesëmarrja është detyrim për këdo që e ndjen veten demokrat dhe opozitar.
“Absolutisht po. Kanë bërë shumë mirë që i kanë përfshirë deputetët kudo. E mira është përveç përfshirjes të kërkonin dhe mendime më tej se sa përfshirja.
Duhet të kuptojmë qartë që grupi parlamentar duhet të ketë prestigjin e të respektohet si i votuar nga demokratët dhe nga shqiptarët.
Si të tillë nuk është vetëm çështje që të jemi në grupe pune, duhet patjetër të konsultohen të gjithë deputetët sa i takon strategjisë që do të ndiqet. Unë jam pro protestave. Besoj që protesta do bashkojë demokratët pastaj se çfarë do bëjë hierarkia lart është çështje më e madhe se kaq.
Strategjia është të ketë pjesëmarrje së pari. Unë nuk kam qenë në ato takime e grupe, por e di shumë mirë që kontakte me kolegët që janë në grupe do mbajmë patjetër“, u shpreh Duma.