Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është zgjedhur zv/President i Unionit më të madh botëror të partive të djathta, CDI (Centrist Democrat International), duke vendosur Shqipërinë në hartën e qendrës së djathtë ndërkombëtare.
Në fjalën e tij pas zgjedhjes, Berisha falënderoi për besimin e dhënë dhe e cilësoi detyrën si një përgjegjësi të madhe në betejën globale për mbrojtjen e demokracisë. Ai theksoi se angazhimi i tij në CDI ka për qëllim forcimin e sundimit të ligjit, garantimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e institucioneve të lira në Shqipëri.
“Fuqi ime në jetë është lufta kundër diktaturave. Kam luftuar kundër diktaturës komuniste dhe tani kundër një diktature autoritare. Është koha të mbrojmë vlerat tona nga ideologjia ekstreme e majtë, e cila synon të shkatërrojë identitetin njerëzor. Jam optimist që CDI do të udhëheqë këtë përpjekje,” deklaroi Berisha.
Zgjedhja e tij e vendos Shqipërinë më pranë strukturave të rëndësishme të qendrës së djathtë ndërkombëtare dhe shënon një moment kyç për profilin politik të vendit në arenën globale.






