9.5 C
Tiranë
Wednesday, November 27, 2024
spot_img

Eurostat tregon: “Shqipëria është e para në Europë, kur bëhet fjalë për të ndërtuar”

Shqipëria është e para në Europë, kur bëhet fjalë për të ndërtuar. Të dhënat e Eurostat tregojnë se ndërtimi zuri në vitin 2020 rreth 10.4% të ekonomisë, gati dy herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 5.6%.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se edhe në vitin 2020, kur ekonomia u zhyt në krizë nga pandemia, ndërtimi në Shqipëri vijoi me ritme të larta. Pesha e këtij sektori në vlerën e shtuar bruto u rrit me 0.6 pikë përqindje.

Ndërsa një pjesë e konsiderueshme e fondeve të lira në ekonomi po orientohen në këtë sektor kryesisht në banesa rezidenciale në Tiranë dhe hotele në bregdet, në kontrast interesi për industrinë, – që ka efekt më lartë në zhvillimin e qëndrueshëm të një vendi dhe rritjes së vlerës së shtuar-, është ndër më të ulëtit në Europë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se pesha e industrisë në vlerën e shtuar bruto (që përjashton taksat dhe subvencionet) në Shqipëri, ishte 12.5%, në vitin 2020, e katërta më e ulët në Europë (përveç Maltës, Qipros dhe Luksemburgut) dhe shumë më poshtë sesa mesatarja e Bashkimit Europian prej 19%.

Rajoni e ka shumë më të zhvilluar sektorin e industrisë në krahasim me Shqipërinë. Rekordin e mban Kosova, me 24.1% të vlerës së shtuar, e fokusuar në termocentrale, përpunimin e hekur-nikelit etj.

E dyta është Serbia, industria e të cilit është gati dy herë më e lartë sesa e Shqipërisë, me 23.4% të vlerës së shtuar bruto. Industria është ndihmuar vitet e fundit në Serbi nga prodhimi i mjeteve motorike, duke nxitur dhe punësimin në këtë sektor.

Një tjetër raport i Kombeve të Bashkuara për investimet e huaja botërore në 2021 thekson se pavarësisht problemeve që pandemia shkaktoi në tregti dhe konsum, industria automotive në Serbi arriti të shënonte zgjerim, si fabrika e prodhimit të sediljeve të Magna dhe të Cooper Tire & Rubber (SHBA). Në qershor 2020, Magna, që është e pranishme prej 6 vitesh në Serbi, hapi fabrikën e re, ku planifikon punësimin e 1 mijë personave.

Po në qershor 2020, Cooper Tire Serbia njoftoi se po zbatonte një projekt për të rritur kapacitetin e prodhimit të gomave në fabrikën e saj në Kruševac, përmes një investimi prej 55 milionë dollarësh për përmirësimin e pajisjeve dhe zgjerimin e hapësirave. Projekti, që mbështetet edhe nga 8 milionë dollarë stimuj nga qeveria serbe, do të hapë rreth 120 vende të tjera pune.
Në Maqedoninë e Veriut, industria zë 19% të vlerës së shtuar bruto të ekonomisë.

Prej vitesh, Maqedonia e Veriut po tërheq investime në industrinë automotive, që janë kthyer në gjeneratorë punësimi. Johnson Matthey DOOEL, prodhuesi maqedonas i katalizatorëve dhe pjesëve të makinave, është kompania më e madhe në Maqedoninë e Veriut, me të ardhura 1.7 miliardë euro në 2020. Numri i të punësuarve i ka kaluar 1 mijë. Ky subjekt është dhe eksportuesi më i madh në Maqedoninë e Veriut dhe ka dy fabrika. Maqedonia e Veriut ka të zhvilluar dhe industrinë farmaceutike.

ALKALOID AD Skopje kishte të ardhura prej rreth 154 milionë eurosh në 2020-n, me rritje 20%, pas interesit të lartë për medikamente gjatë pandemisë.

Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë dhe nivelin më të lartë në rajon të eksporteve të mallrave e shërbimeve, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Edhe në vitin 2020, Shqipëria vijoi ta ketë këtë tregues më të ulëtin në rajon, së bashku me Kosovën, në përkatësisht 23 dhe 22% të PBB-së në vitin 2020, nga përkatësisht 52% dhe 58% për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave nga Banka Botërore.

E zhvilluar është industria dhe në Bosnjë Hercegovinë, me 22.9% të vlerës së shtuar. Shqipërisë i afrohet vetëm Mali i Zi (13.5%), ekonomia e të cili është e përqendruar më shumë te shërbimet.
Në Shqipëri, pesha e industrisë në vlerën e shtuar zbriti me -1.3 pikë përqindje në 2020-n (nga 13.8% në 2019), si rrjedhojë e pasojave të pandemisë, që çoi përkohësisht në mbylljen e aktivitetit të Bankers Petroleum (prodhuesit më të madh të naftës në vend) dhe Kurum (prodhuesit të çelikut).

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT