Bashkimi Evropian ka njoftuar ndalimin e eksporteve të teknologjisë kritike të dronëve dhe raketave në Iran, në kuadër të sanksioneve për shkelje të të drejtave të njeriut dhe aktivitetet bërthamore të Teheranit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkruan në X: “Evropa qëndron në solidaritet të plotë me gratë dhe burrat e guximshëm të Iranit që po rrezikojnë jetën e tyre për të kërkuar liri për veten e tyre dhe brezat e ardhshëm”.
Ajo shtoi se BE-ja ka vendosur më parë sanksione të gjera ndaj Iranit për shkelje të të drejtave të njeriut, përhapje bërthamore dhe mbështetje për luftën e Rusisë kundër Ukrainës. “Sot, ne po propozojmë të ndalojmë eksportet e mëtejshme të teknologjisë kritike të dronëve dhe raketave,” tha von der Leyen.
Së bashku me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, Komisioni po përgatit edhe një rund të ri sanksionesh për të dënuar shtypjen e protestuesve nga regjimi iranian.






