Familja e gjyqtarit Astrit Kalaja, i vrarë në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të hapen procedurat për ta shpallur atë “dëshmor të atdheut”, njofton TCH.
Në kërkesën e publikuar, bashkëshortja e Kalasë përshkruan se gjyqtari u vra gjatë shpalljes së vendimit nga një palë në proces, e cila nxori armën dhe qëlloi menjëherë pas deklarimit të vendimit. Familja thekson se rendi dhe qetësia në gjykata nuk sigurohen vetëm nga policia, por edhe nga vetë institucionet gjyqësore, duke kërkuar që çështja të trajtohet edhe nga Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit, një hap që mund të çojë më pas në padi në gjykatën administrative.
Gjyqtari u vra nga Elvis Shkëmbi, xhaxhai i të cilit ishte palë në një proces të nisur në Shkodër. Të dy të dyshuarit ndodhen në burg, ndërsa hetimet e prokurorisë vijojnë, në pritje të ekspertizës së telefonit për të verifikuar një mundësi bashkëpunimi në kryerjen e krimit.
Ky incident ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë në gjyqësor dhe prokurori, pasi në këtë gjykatë trupa gjyqësore ishte kërcënuar edhe më parë gjatë shpalljes së vendimeve. Aktualisht, tre gjyqtarë janë të përfshirë në një proces penal për kërcënime ndaj tyre, ndërsa kushtet e sigurisë vazhdojnë të mbeten të njëjta.






