Një ngjarje e rëndë ka tronditur Arezzo-n në Itali, ku një fëmijë 4-vjeçar u sëmur rëndë dhe humbi ndjenjat pasi konsumoi biskota të përgatitura me kanabis nga xhaxhai i tij, i cili nuk kishte informuar askënd për përbërësit.
Fëmija u dërgua menjëherë në spital, ku analizat treguan nivel të lartë kanabisi në gjak dhe urinë. Nëna raportoi se djali kishte ngrënë disa biskota të gjetura në qilarin e shtëpisë së gjyshërve, të pjekura disa ditë më parë.
Pas njoftimit të mjekëve, policia kontrolloi banesën e xhaxhait, ku gjeti një serë profesionale me llamba dhe ventilatorë, rreth 600 gramë marihuanë të tharë, dhe 20 biskota me kanabis me peshë totale rreth 500 gramë.
Xhaxhai u arrestua dhe akuzohet për posedim, kultivim dhe prodhim të lëndëve narkotike, si dhe për sulm të pakujdesshëm. Gjykata konfirmoi arrestimin dhe seanca u shty për një datë tjetër.
Sipas mediave italiane, gjendja e fëmijës është përmirësuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.






