Policia e Tiranës finalizoi operacionin e koduar “The Player”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit në kryeqytet. Operacioni u zhvillua nga Specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit Nr. 4, bazuar në informacionet e siguruara më parë.
Gjatë kontrollit në rrugën “Halit Bega”, u sekuestruan dy paisje elektronike të përdorura për lojërat e fatit, një aparat celular dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal.
Në kuadër të operacionit, shtetasi I. S., 27 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Autoritetet bëjnë me dije se ky operacion është pjesë e masave të përditshme për të goditur aktivitetet e paligjshme të lojërave të fatit dhe për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve.






