Forcat zjarrfikëse të Gjirokastrës kanë luftuar pa ndalur gjatë gjithë natës për të parandaluar afrimin e zjarrit drejt qytetit dhe fshatrave përreth. Në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe efektivë nga Tepelena dhe Përmeti. Rreth orës 04:30 të mëngjesit, u bë riorganizimi i forcave për dislokimin në pikat kyçe, me qëllim mbajtjen nën kontroll dhe izolimin e plotë të zjarrit.
Aktualisht, lufta me flakët vazhdon ende. Në operacion janë angazhuar 107 forca vullnetare nga Bashkia, 50 forca nga Forcat e Armatosura, 6 punonjës me kontratë, dhe 14 efektivë zjarrfikës nga Drejtoria e Gjirokastrës, të ndarë në grupe. Bashkëpunimi i këtyre forcave është thelbësor për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të mbrojtur komunitetin nga rreziku i zjarrit.